Një aksident ka ndodhur në aksin kombëtar Berat–Lushnjë, pranë fshatit Barbullinjë, ku një autobus i linjës Berat–Tiranë është përplasur me një automjet tip BMW.
Nga përplasja, disa pasagjerë të autobusit, shumica turistë të huaj, kanë marrë lëndime të lehta. Drejtuesi i BMW-së është transportuar në spital. Sipas të dhënave paraprake, BMW-ja i ka prerë rrugën autobusit. Drejtuesi i këtij të fundit ka frenuar, por nuk ka mundur të shmangë përplasjen, nga e cila autovetura ka përfunduar në murin mbrojtës të një biznesi.
Policia e Qarkullimit Rrugor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Ndërkohë, udhëtarët janë në pritje të një tjetër mjeti transporti nga agjencia për të vijuar drejt destinacionit të tyre.
