Presidenti Donald Trump ka deklaruar se diskutoi me drejtorin ekzekutiv të Google, Sundar Pichai, mundësinë e riemërtimit të Oqeanit Atlantik, por ideja u kundërshtua nga drejtuesi i kompanisë.

Gjatë një tubimi zgjedhor në Karolinën e Jugut, presidenti amerikan tha se kishte menduar emrat “Oqeani Trump” ose “Oqeani i Amerikës” për Atlantikun apo Paqësorin.

Sipas rrëfimit të Trump, ai e telefonoi Pichai-n për ta pyetur nëse ndryshimi mund të pasqyrohej në Google Maps.

“Sundar, po mendoj për Oqeanin Atlantik. A mund ta marrësh përsipër?”, tregoi Trump se i kishte thënë. Presidenti amerikan tha se përgjigjja ishte negative, me argumentin se oqeanet lidhen me shumë vende.

“Jo, jo, jo. Nuk do ta bëj këtë herë. Oqeanet janë një çështje tjetër, zotëri. Ju lutem, mos na kërkoni ta bëjmë këtë”, ishte përgjigjja që Trump ia atribuoi kreut të Google. Në përfundim, Trump la të kuptohej se do ta linte mënjanë propozimin. “Mendoj se do të ishte më mirë ta mbaja emrin që ka”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb