Valentino Rosi flet për shanset e Andrea Kimi Antonelit për të fituar titullin botëror në Formula 1 dhe mundësitë e Marko Bexekit në MotoGP. Vëmendja kryesore është te Antoneli, i cili po ëndërron të arrijë një sukses historik për Italinë. “Për tifozët italianë të motorsportit, kjo është një ëndërr, sepse nuk kemi pasur kurrë një pilot kaq të fortë në Formula 1”, shprehet Rossi për Sky.

“Doktori” e njeh Antonelin që në fëmijëri, kur të dy pilotonin së bashku në karting. “Për mua është fantastike, sepse e njoh që kur ishte shumë i vogël. Ta shohësh tani në garë për titullin është një kënaqësi e madhe.

Mendoj se, duke parë mënyrën se si kanë shkuar gjërat këtë sezon, ai e ka gjithçka nën kontroll. Nuk besoj se ka nevojë për këshillat e mia. Tani mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë të dielën në mbrëmje”, shtoi Rosi.

Situata është më e ndërlikuar për Marko Bexekin, i cili duhet të rikuperojë 46 pikë ndaj rivalëve spanjollë, Horge Martin dhe Mark Markez. “Është e vështirë, por pse të mos e provojë?

Kanë mbetur ende shumë gara dhe ai ka treguar se është më i shpejti. Megjithatë, 46 pikë janë shumë, sidomos kur përballë ka dy rivalë të fortë. Duhet të përpiqet të fitojë dhe të përfundojë përpara tyre”, theksoi italiani. Në fund, Rosi kujtoi edhe garën e Australisë, ku Bexeki ka një llogari të hapur me fatin e keq. Vitin e kaluar, piloti italian u penalizua me dy xhiro të gjata, duke humbur një mundësi të mirë për të fituar garën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb