Një javë pasi Midtjyllandi barazoi 1-1 në transfertë ndaj Egnatias, tashmë është radha e AGF-së për t’u përballur me skuadrën shqiptare në Ligën e Konferencës. Para ndeshjes, trajneri i AGF-së, Jakob Poulsen, u pyet nëse kishte pasur shkëmbim informacioni mes dy klubeve daneze për kundërshtarin shqiptar. Ai la të kuptohej se analistët e dy skuadrave mund të kenë komunikuar mes tyre.
“Unë nuk kam folur me Midtjyllandin, por besoj se analistët tanë mund të kenë kontaktuar me ta”, deklaroi Poulsen në konferencën për shtyp. Trajneri danez sqaroi se personalisht nuk kishte komunikuar me drejtuesit e Midtjyllandit, pasi preferon ta përgatisë vetë skuadrën dhe të krijojë një ide të qartë për kundërshtarin përmes analizave të tij.
“Sot është shumë e lehtë të sigurosh pamje nga të gjitha ndeshjet, si nga transmetimet televizive, ashtu edhe nga kamerat taktike. Më pëlqen t’i analizoj vetë pamjet, të krijoj idenë time dhe të përcaktoj se si duhet të luajmë”, u shpreh trajneri i AGF-së.
Të enjten në mbrëmje, Poulsen dhe skuadra e tij do të përpiqen t’i shndërrojnë përgatitjet taktike dhe informacionet e mundshme nga Midtjyllandi në një rezultat pozitiv. Objektivi i AGF-së është të sigurojë fitoren e parë këtë sezon në Ligën e Konferencës, por përballë do të ketë një Egnatia që synon të vazhdojë paraqitjet pozitive në arenën evropiane. Favorit ndaj Egnatias -AGF Arhus shihet si favorite përballë Egnatias në përballjen mes dy skuadrave, sipas kuotave të kompanive të basteve.
Fitorja e ekipit danez kuotohet me 1.50, ndërsa suksesi i rrogozhinasve vlerësohet me koeficientin 6.00. Barazimi mes dy skuadrave kuotohet me 4.33. Këto shifra tregojnë se pritshmëritë janë në favor të AGF Arhus, por Egnatia do të kërkojë të përmbysë parashikimet dhe të marrë një rezultat pozitiv. Megjithatë, kuotat pasqyrojnë vlerësimin e tregut të basteve dhe nuk garantojnë rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
