Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka komentuar në emisionin Minuta e Parë në News24 protestat e studentëve dhe qytetarëve që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

Topi u shpreh se qytetarët janë të lodhur nga ajo që ai e cilësoi si sjellje arrogante dhe megalomane të kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se pakënaqësia ndaj qeverisë po rritet.

Ai kritikoi gjithashtu vendosjen e përditshme të karrigeve dhe stolave përpara Kryeministrisë, në kuadër të ftesës së Ramës për dialog, duke e konsideruar këtë qasje jo serioze përballë shqetësimeve të protestuesve.

Sipas ish-kreut të shtetit, mungesa e transparencës nga qeveria dhe institucionet shtetërore po e thellon edhe më shumë pakënaqësinë qytetare. Topi theksoi se institucionet ndodhen në një errësirë të plotë sa i përket transparencës, ndërsa qytetarët kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi për situatën në vend.

Bamir Topi: Edi Rama sot mund të ndjehet i qetë për këtë që ka ndodhur, sepse kur filluan protestat zëri kryesor në media nuk janë problemet e mëdha që ka qeverisja e tij, korrupsioni i njerëzve të tij, dhe ky ka hyrë në një lloj ekuivalence të fajit, e ka fajin ne, policia apo protestues. Sot nuk shoh ndonjë lajm që presidenti ka thirrur kryeministrin. Për më tepër që sot është jashtë Shqipërisë. Nuk ka një apel publik. Ka një detyrim. Ai nuk ka shkuar atje si një njeri i stafit të kryeministrit. Kam qenë nënkryetar i PD kam pasur rrobën politike dhe në fund kur shkova atje thashë nuk i takoj më asnjë partie i takoj shtetit, debatet e mëdha i kam bërë me personin që sot është në opozitë.

Sot është institucioni i një njeriu, megaloman, arrogant, cinik dhe jo më larg se dy orë më parë kam dëgjuar një mesazh të presidentit Matarela, që u vendos në pozicion të kundërt me retorikën e qeverisë italiane. Burrë shteti, një burrë i maturuar që sheh përte interesave të x apo y. Tha mos shikoni me indiferentizëm rininë sot. Madje akoma më shumë, mos e shikoni me cinizëm sepse rinia ka nevojë të vlerësohet se në ç’stad është. Të shikohet se pas kësaj rinie ka familje që financiarisht nuk janë në gjendje, prandaj qeveria duhet të asistojë formimin e tyre.

Dil në trotuar vë karrige, stola, nuk është serioze. Ka mënyrën e vet ekstravagante, por kjo shoqëri nuk e duron dot më këtë mënyrë sjellje. Vërtet ti shkon shpërthim simptomash por pasojë e një sëmundje që njeriu e ka diku në trup.

Në rast se realizohen takime konsulta njerëzit e respektojnë institucionin. Në rast se nuk shprehesh nuk më mbetet tjetër të dyshojë mos këto takime janë për të kamufluar një situatë që nuk kamuflohet dot më. Këta njerëz që shkojnë atje shkojnë me një ftesë por nuk janë vendimmarrës. Përgjegjësia është e presidentit. Unë pres, duke bërë atë parashtresë, pres apel. Njerëzit duan të dinë mendimin e presidentit. Mendimi nuk është një prononcim i përgjithshëm. Cili raporti me kryeministrin? A ka transparencë ky vend? Duhet të dalim nga kjo errësirë informative. Ka një errësirë. Këtu nuk është puna me kap dikë pas shtyllës. Transparencën duhet ta kenë ata me pushtet. Sepse aty është errësira më e madhe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb