Studenti protestues Visar Martinaj, i ftuar në News24, ka folur për dhjetë ditët e fundit të protestave kundër qeverisë, duke denoncuar dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj të rinjve dhe gjimnazistëve.

Martinaj deklaroi se studentët janë përballur me lodhje të madhe fizike dhe psikologjike, por kanë vijuar të dalin në rrugë për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Ai theksoi se përdorimi i forcës gjatë ditëve të fundit ka shkaktuar frikë te një pjesë e protestuesve, por nuk e ka ndalur revoltën.

“Dhjetë ditët e fundit kanë qenë shumë intensive, si për ne, ashtu edhe për regjimin e Edi Ramës. Aq intensive sa ka pasur ditë kur kemi qenë aq të lodhur, sa mezi ngriheshim në këmbë dhe prapë kemi shkuar në protestë që të rezistojmë sa më shumë. Ditët e fundit studentët janë trembur pak nga dhuna e tepruar që Edi Rama po bën këto ditë me urdhrat e tij”, u shpreh Martinaj.

Studenti kritikoi ashpër edhe gjuhën e përdorur nga kryeministri ndaj protestuesve, duke deklaruar se prej muajsh të rinjtë kanë marrë vetëm komente tallëse dhe fyese në vend të përgjigjeve për kërkesat e tyre.

Sipas tij, përshkallëzimi i protestave ishte i pritshëm pas rreth 140 ditësh pakënaqësi dhe mungese reflektimi nga qeveria.

“Problemi është se Edi Rama na ka etiketuar dhe ofenduar me fjalë të ndryshme. Ne jemi munduar gjithë këto ditë, por që nga 31 maji kemi pritur komente tallëse nga kryeministri. Dhjetë ditët e fundit nuk kanë qenë asgjë tjetër veçse efektet anësore të protestës së madhe. Ishte më se e pritshme që do të arrihej në këtë revoltë, sepse nëse unë protestoj 140 ditë dhe e vetmja përgjigje që marr nga kryeministri janë komentet ofenduese në rrjetet sociale, atëherë kjo situatë ishte e pashmangshme”, deklaroi ai.

Martinaj shtoi se propaganda e qeverisë, sipas tij, nuk ka funksionuar te brezi i ri, pasi studentët janë aktivë në rrjetet sociale dhe nuk ndikohen nga mesazhet e kryeministrit.

“Propaganda e tij nuk ka funksionuar sepse jemi brez i ri. I vetmi target audience që ai ka kapur janë besnikët e partisë dhe moshat shumë të mëdha, ndoshta. Te brezi ynë kjo nuk funksionon. Në rrjetet sociale i dominojmë”, tha studenti.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me përdorimin e plumbave të gomës gjatë protestave. Martinaj pretendoi se policia i ka përdorur pa kursim, duke shkaktuar plagë të rënda te protestuesit.

“Plumbat e gomës ditët e fundit janë përdorur pa asnjë kursim. Plagët e tyre duken si plumba gjuetie që përdoren për kafshë. Pamjet janë makabre në ekstrem”, u shpreh ai.

Duke u ndalur te protesta kombëtare e thirrur për të shtunën, më 24 tetor, Martinaj theksoi se pjesëmarrja nuk do të kufizohet vetëm te studentët, por pritet të përfshijë edhe familjarët e tyre dhe qytetarë nga rrethet.

“Të shtunën është thirrur protesta kombëtare, por nuk janë të ftuar vetëm studentët. Presim të vijnë masivisht studentë nga rrethet, por ata mund të vijnë edhe me familjarët e tyre”, deklaroi Martinaj.

Në përfundim, studenti përjashtoi mundësinë e dialogut me kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar atë për dhunën ndaj të miturve përmes policisë dhe duke theksuar se protesta nuk ka karakter partiak.

“Me Ramën nuk ka dialog. Nuk mund të dialogosh me një dhunues fëmijësh. Rama ka 13 vite që mundohet të hedhë ligje antishqiptare. Protesta është më e madhe se thjesht regjimi. Protesta ka të bëjë me ekzistencën tonë si popull, jo me parti”, përfundoi Martinaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb