I ftuar në emisionin Prime News24 në News24, gazetari Renaldo Salianji ka sjellë në studio një pasqyrë të 10 ditëve të para të protestës masive studentore dhe qytetare, duke u paraqitur në studio me mjetet e tij të punës, përfshirë maskën kundër gazit.
Salianji tregoi se si puna e gazetarëve në terren është shoqëruar me kushte ekstreme dhune, ku ekipe mediatike janë përballur drejtpërdrejt me gazin lotsjellës, plumbat e gomës dhe ujin me presion të forcave të rendit, të cilët shpesh kanë dëmtuar edhe pajisjet e transmetimit. Megjithatë, sfida më e madhe sipas tij ka qenë sjellja e paprecedentë e strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit ndaj medias.
“Ka qenë një sjellje jo normale. Unë të paktën në këto vite karrierë në gazetari që kam, nuk isha hasur ndonjëherë me një sjellje kaq të pakuptueshme të policisë me median, me një urrejtje të policisë ndaj medias të frymëzuar ndoshta edhe nga deklaratat e kryeministrit që sulmonte median dhe News24 në deklaratat e tij.”
Gazetari theksoi se pavarësisht disa efektivëve të veçantë që kanë shfaqur qytetari, drejtuesit e policisë e kanë parë hapur median si armik, duke i penguar gazetarët si Salianji, Osman Stafa dhe kolegë të tjerë të filmojnë shoqërimet e të miturve në rrugë. Ai ngriti shqetësime madhore rreth pranisë së personave të maskuar pa asnjë lloj shenje dalluese, numri identifikues apo uniformë zyrtare të shtetit shqiptar, të cilët po ndalojnë të miturit, u kontrollojnë çantat, i fotografojnë, u marrin kartat e identitetit dhe adresat e shtëpisë.
Në përmbyllje të dëshmisë së tij, Salianji shtroi pyetje publike për drejtuesit e policisë, përfshirë drejtorin e përgjithshëm, mbi legjitimitetin e këtyre individëve të maskuar dhe faktin se përse strukturat e rendit kanë gjuajtur me gurë drejt të miturve gjatë ditëve të protestës.
