Një 47-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosjen me armë zjarri të një 22-vjeçari dhe vjedhjen e automjetit të tij është ndaluar në pikën kufitare të Rinasit, teksa tentonte të largohej nga Shqipëria.

Sipas Policisë, bëhet fjalë për shtetasin Klodian Ndoj banues në fshatin Sanxhak, i cili u ndalua falë koordinimit mes specialistëve për Hetimin e Krimeve të Rënda, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Policisë Kufitare në Rinas.

Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në muajin korrik, në fshatin Sanxhak, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, 47-vjeçari dyshohet se ka plagosur me armë zjarri shtetasin V. P., 22 vjeç, dhe më pas i ka vjedhur automjetin.

Në muajin gusht, Gjykata e Lezhës i kishte caktuar 47-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Pas ndalimit, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb