Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë së Dibrës, pasi dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të qytetit të Burrelit. Mes të arrestuarve është edhe një 72-vjeçar, ndërsa gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia janë sekuestruar kokainë, municione luftarake, telefona celularë dhe një orë luksoze e markës “Rolex”.
Operacioni policor i koduar “Start 3” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, pas një hetimi proaktiv të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës. Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. M., 27 vjeç, dhe D. Gj., 55 vjeç, të dy banues në Sanxhak të Laçit, si dhe N. Gj., 72 vjeç, banues në Burrel.
Sipas policisë, nga hetimet e kryera dyshohet se tre të arrestuarit bashkëpunonin me njëri-tjetrin për përgatitjen dhe shitjen e kokainës në zona të ndryshme të Burrelit. Gjatë kontrolleve fizike dhe atyre të ushtruara në banesat e të dyshuarve, efektivët gjetën dhe sekuestruan 94.70 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 19 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 13 telefona celularë, dy peshore elektronike, një automjet dhe një orë dore të markës “Rolex”. Të gjitha sendet e sekuestruara do të shërbejnë si prova materiale në hetimin ndaj tre të arrestuarve. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.
