Mjeku dhe pedagogu Besnik Jakaj ka komentuar në studion e News24 protestat studentore dhe situatën politike në vend, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për kontroll të institucioneve dhe përpjekje për të minimizuar përmasat e revoltës qytetare.

Jakaj deklaroi se Shqipëria ndodhet në një periudhë protestash të gjata, ku qytetarët, studentët dhe pedagogët po kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre, dinjitet dhe liri. Ai theksoi se mbështetja e pedagogëve për studentët është e rëndësishme, ndërsa shtoi se protesta po zgjerohet dhe shoqëria po ndërgjegjësohet gjithnjë e më shumë. Sipas tij, të rinjtë që kanë dalë në rrugë përfaqësojnë shpresën për ndryshim, ndërsa qytetarët që heshtin përballë dhunës policore bëhen bashkëfajtorë.

Pedagogu kritikoi gjithashtu kryeministrin për deklaratat dhe paralajmërimet ndaj studentëve, duke theksuar se të drejtat e tyre burojnë nga ligji dhe nuk janë favore që jepen nga kreu i qeverisë. Jakaj akuzoi Ramën dhe strukturat pranë tij se po përpiqen të ulin numrin e pjesëmarrësve në protesta, ndërsa theksoi se thelbi i lëvizjes nuk qëndron te pjesëmarrja, por te kërkesat e qytetarëve kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes.

“Jemi në stinë protestash të gjata. Ka protesta paqësore qytetare me kërkesa të qarta. Kemi parë protestën në Bulevard, ku përfaqësohen të gjitha shtresat, ku janë artikuluar shqetësimet e tyre, përfshirë dhe diasporën. Tani jemi në pikun e protestës studentore. Kemi pasur dhunë. Mbështetja që kanë dhënë pedagogët është e konsiderueshme dhe me rëndësi. Sa i takon mjekëve, nuk është bërë një organizim për këtë fakt. Protesta po zgjerohet, shoqëria po ndërgjegjësohet. Në auditorë, nëse nuk mësojmë studentët tanë për luftën, për përpjekjet për liri dhe dinjitet njerëzor, që është sanksionuar në Kushtetutën tonë, s’ke mësuar asgjë. Nëse nuk jemi qytetarë të denjë të zbatojmë detyrat tona dhe të kërkojmë me forcë të drejtat tona, nuk është normale për një vend demokratik.

Studentëve nuk ua jep bursën kryeministri, por ligji. Disa prej kërcënimeve të tij, pra masave që ai thotë se do të ndërmarrë, në fakt nuk ofrohen si shërbime në Shqipëri, siç është rasti i trenave. Kur qytetarët nuk ngrenë zërin përballë dhunës policore, ata bëhen bashkëfajtorë. Ja, shohim këto pamje të protestës së të rinjve, janë shpresë, frymëzim për vendin. Ka një element, kryeministri dhe patronazhimi i tij, institucionet që ai i ka të kapura, për të ulur numrin, pasi protestat kanë pasur pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Por nuk është thelbi sasia, por kërkesat. Ata njerëz kanë të drejtë në ato kërkesa që parashtrojnë. Janë lodhur në këtë vend, shohin korrupsion dhe keqshpërdorim. Bëhet fjalë për autokraci”, u shpreh Jakaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: