Nënkrytari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se vendi nuk mund të përfshihet në një konflikt civil vetëm për shkak se kreu i qeverisë, sipas tij, kërkon të mbrojë zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, Këlliçi akuzoi Ramën se po përpiqet të shtypë protestat studentore përmes dhunës, ndërsa hodhi poshtë pretendimet për lidhje të tyre me lëvizjen ANTIFA.
Demokrati reagoi edhe ndaj vendimit për përjashtimin e tij dhe pesë deputetëve të tjerë të opozitës me 60 ditë nga punimet e Kuvendit. Ai deklaroi se opozita kishte kërkuar të diskutohej situata e protestave dhe kërkesa e studentëve për largimin e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike.
Sipas Këlliçit, nuk mund të ketë normalitet parlamentar ndërkohë që të rinjtë, siç pretendon ai, po përballen me dhunë policore. Deputeti akuzoi gjithashtu kryeministrin se ka inkurajuar veprimet e policisë dhe se po përpiqet t’ia faturojë Partisë Demokratike aktet e dhunës gjatë demonstratave.
Këlliçi pranoi se përfaqësues dhe mbështetës të PD-së kanë marrë pjesë në protesta, por theksoi se opozita nuk pretendon organizimin e tyre, pasi lëvizja u përket studentëve dhe të rinjve. Ai hodhi poshtë edhe pretendimet për përfshirjen e ANTIFA-s, duke i cilësuar ato si një përpjekje për të deformuar natyrën e protestave. Në fund, deputeti demokrat drejtoi akuza ndaj Belinda Ballukut dhe deklaroi se, sipas tij, kryeministri po përpiqet ta mbrojë atë, pasi i druhet përballjes së vet me drejtësinë.
“Për mua dhe pesë deputetë të tjerë i bie të kthehemi në Kuvend në javën e tretë të janarit, pasi dje mbajtëm qëndrim të prerë si PD. Për shkak se kryetari i grupit është i përjashtuar, mbajta një qëndrim. Parashtrova në emër të PD-së pikën e parë të kërkesës së studentëve: largimin e Ramës, krijimin e qeverisë teknike. Ne kemi kërkuar që të respektohen kërkesat e studentëve. Kemi dashur që të diskutohej për atë çka ndodhte jashtë Kuvendit. Nuk mund të ketë normalitet parlamentar kur të rinjtë po rrihen brutalisht, po u thyhen kockat. Sot nuk ka ende një kërkesë faljeje apo reagim nga ministri i Brendshëm apo policia, apo edhe nga kryeministri, i cili e ka inkurajuar këtë gjë. Ai i ka shpërblyer policët për dhunën.
Dje doli me historinë që PD-ja strehoi 150 zjarrvënës në seli. Por të dalë një individ që selinë e PS-së e mbrojti me banditë dhe të futësh në selinë tënde persona me precedentë, të maskuar dhe me shkopinj bejsbolli, këtë vetëm Taulant Balla mund ta bëjë. Shpifja ishte banale. Kanë qenë protestues, patjetër. PD është parti e protestës. Ne kemi 13 vite në protestë. Do të ishte e pafalshme nëse nuk do të ishim në protestë dhe në mbështetje të studentëve. Nga Berisha te zyrtari më i fundit, nuk e mohojmë në asnjë moment përfshirjen e të rinjve tanë, strukturave tona, në mbështetje, por nuk pretendojmë autorësinë e protestës.
Kjo protestë është e studentëve, e të rinjve. Ne kemi detyrë që t’i mbështesim ata. Kemi mbrojtur të arrestuarit me avokatë. Ftoj këdo që ka një pretendim, nga psikopati që kemi në krye te ministri i Brendshëm, që e rrahu në zyrë kur ishte ministër. Civilët që futi në turmë në protestë janë ata që shkaktojnë dhunën. Është Rama personi të cilit i intereson kjo dhunë, në mënyrë që të gjejë një mënyrë për të shtypur protestën. Nuk ka lidhje ANTIFA me protestën e studentëve në Shqipëri. Është një “Griselda” e dytë e lënë shtatzënë. Kjo bandë kryesohet nga Belinda Balluku, që po tenton të marrë gjithë Shqipërinë. S’mund të shkojë vendi në luftë civile se Rama mbron Ballukun. Lufta po bëhet se ky nuk do që t’i vijë radha, se do ta ketë radhën pas Ballukut.”, tha ai.
