Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka bërë një deklaratë të fortë për ish-ministren e Jashtme, Elisa Spiropali, duke i kërkuar të flasë hapur për zhvillimet politike në vend dhe të tregojë gjithçka që di. Në një intervistë për emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, Këlliçi deklaroi se nuk do të ishte surprizë nëse ndaj Spiropalit do të ishte depozituar një kallëzim nga Nesti Angoni, duke iu referuar rastit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Këlliçi i bëri thirrje ish-ministres që të mos heshtë dhe të tregojë të vërtetën për situatën politike dhe protestat studentore. Ai theksoi se Spiropali ka mbajtur poste të rëndësishme në qeveri dhe ka përvojën e nevojshme politike për të folur publikisht.
Demokrati paralajmëroi se ish-ministrja duhet të shmangë një përfundim të ngjashëm me atë të Erion Veliajt, ndërsa pretendoi se mund të ekzistojë një kallëzim ndaj saj. Këlliçi akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se po mban peng vendin për të ruajtur pushtetin, ndërsa e bëri përgjegjës politik për dhunën e denoncuar ndaj studentëve dhe për mënyrën e administrimit të fondeve publike.
“Elisa bën mirë të flasë, të thotë të vërtetën. Mos u habisni nëse Nesti Angoni të ketë depozituar një kallëzim për Elisa Spiropalin, siç ndodhi për Veliajn. Bën mirë që Elisa të flasë dhe të thotë të vërtetat e saj, se çfarë po ndodh me studentët. Ka qenë ministre e Jashtme, u bë politikane me eksperiencë. Mos të përfundojë si Veliaj.
Nesti Angoni e ka çuar një kallëzim për Spiropalin. Të flasë tamam, jo me arra në gojë. Duhet të flasë hapur. Është momenti për të shpëtuar Shqipërinë. S’mund të shkojë Shqipëria në luftë civile se është një i çmendur që çfarë nuk bën për karrigen e tij. Ky u theu këmbët e duart studentëve, e trajton buxhetin si portofol personal.”, tha ai.
