Gazetari Elkier Bushkola ka ngritur shqetësime të forta për mënyrën se si policia po ndërhyn gjatë protestave studentore, duke denoncuar shoqërimin e të miturve dhe përdorimin e dhunës ndaj tyre. I ftuar në emisionin “Në Shënjestër” në News24, Bushkola e cilësoi të papranueshme që strukturat operacionale të policisë të angazhohen në shoqërimin e fëmijëve, në vend që të përqendrohen te lufta kundër grupeve kriminale.
Sipas gazetarit, ndërhyrjet e policisë gjatë protestave kanë qenë joproporcionale, veçanërisht në momentet kur protestuesit janë shpërndarë në grupe të vogla. Ai deklaroi se në disa raste janë angazhuar deri në 17-18 efektivë të pajisur me uniforma dhe mjete mbrojtëse për të arrestuar të mitur.
Bushkola ngriti gjithashtu dyshime se gjatë protestave mund të jetë kërkuar ndihma e strukturave private të sigurisë, megjithëse nuk paraqiti prova që ta konfirmojnë
këtë pretendim.
Gazetari akuzoi efektivët se kanë kryer arrestime brutale edhe në prani të kamerave, duke pretenduar se veprime të tilla synojnë të frikësojnë prindërit dhe të dekurajojnë pjesëmarrjen e të rinjve në protesta.
Sipas tij, në rastet kur nuk kanë qenë të pranishme kamerat, dhuna ndaj protestuesve ka qenë edhe më e rëndë, përfshirë goditje me shkopinj gome në kokë. Këto janë pretendime të gazetarit, të cilat kërkojnë verifikim nga institucionet përgjegjëse.
“E tmerrshme sesi Operacionalja shoqëron një 12-vjeçar, kur duhet të merren me grupet kriminale. Në këtë protestë dyshoj se është kërkuar ndihmë nga policia private.
Arrestimet janë joproporcionale. Janë në fazën e shpërndarjes, në shpërndarjen në grupe të vogla. 17-18 policë të veshur e të ‘blinduar’ në veshje për të arrestuar fëmijët është e tmerrshme.
Arrestimet kanë qenë brutale edhe para kamerave, për të demoralizuar prindërit.
Kur nuk ka pasur kamera, dhuna ka qenë brutale, me shkopinj gome në kokë.
Protestë ekonomike, pavarësisht se ka në ballë studentët. Janë kushtet që i sjellin në shesh.
Nuk ka më rëndë se të shohësh studentët që marrin gurët dhe qëllojnë fëmijët. Kjo është skandaloze. Policia ka protokolle. Flasim për fëmijë nën 18 vjeç”, u shpreh ai.
