Studentja Livia Dedej ka rrëfyer përjetimet e saj gjatë protestave, duke folur për frikën dhe pasojat emocionale që, sipas saj, kanë lënë përballjet me policinë. Në studione “Në Shënjestër” me gazetaren Klodiana Lala, ajo u shpreh se ajo që ka ndodhur e ka ndryshuar, por nuk ia ka lëkundur bindjen se protesta duhet të vazhdojë.
“Të gjithë duam të jemi në shtëpi, të jemi në kafe, por detyra ndaj atdheut na bën të dalim në shesh”, tha Dedej.
Duke kujtuar ditën e dytë të protestës, studentja tregoi se ishte përballur me policinë ndërsa po fshihej pranë Kullave në qendër. Për përvojën e saj personale, ajo sqaroi se efektivët ishin treguar mirëkuptues.
“Ditën e dytë të protestës jam përballur me policinë. Të gjithë kemi krijuar trauma dhe kemi frikë. Ata janë treguar mirëkuptues me mua, flas për eksperiencën personale. Isha duke u fshehur te Kullat Binjake. Sot nuk jam e njëjta që isha para protestës”, u shpreh ajo.
Pavarësisht frikës, Dedej theksoi se mbetet e vendosur për vijimin e protestës. Sipas saj, përballja me situata që brezi i saj nuk i kishte përjetuar më parë e ka shtuar motivimin për të dalë në shesh.
“Por ende jam e bindur që protesta duhet të vijojë. Jemi të nxitur edhe më shumë pas asaj që ka ndodhur. Mosha ime nuk kishte përjetuar më parë një gjë të tillë, kjo na ka nxitur edhe më shumë”, tha studentja.
Dedej foli edhe për pabarazinë që ndien përballë mjeteve të përdorura nga policia, duke deklaruar: “Përveç gurit, nuk kemi çfarë bëjmë përballë autobotit të ujit”.
Megjithatë, ajo shtoi se edhe mes efektivëve ka njerëz të mirë, të cilët, sipas saj, ndodhen në dilemë. Studentja e cilësoi përplasjen mes policisë dhe protestuesve si një konflikt që i shërben mbrojtjes së pushtetit të një njeriu.
“E di që edhe mes policëve ka njerëz të mirë që janë në dilemë. Policia dhe protestuesit po luftojnë e shajnë njëri-tjetrin për të mbrojtur pushtetin e një njeriu”, përfundoi Dedej.
