Mjekja Amarda Cenko, në emisionin “Në Shënjestër” me Klodiana Lalën, ka ngritur shqetësimin për mungesën e ilaçeve dhe largimin e mjekëve nga Shqipëria. Ajo tregoi se edhe vetë e ka menduar disa herë largimin, por lidhja me familjen e ka mbajtur në vend. Duke folur për protestat, Cenko theksoi se studentët po reagojnë ndaj pengesave që hasin në jetën e përditshme, mes të cilave edhe problemet në arsim.
“Ka mungesë ilaçesh. Mjekët janë larguar. Kam pasur shumë herë plan të largohem, por më ka mbajtur këtu familja”, u shpreh ajo.
Cenko ngriti pikëpyetje për të ardhmen e shëndetësisë, duke vënë në dukje se studentët që sot protestojnë, nesër do të jenë mjekë, ndërsa një pjesë e tyre synojnë të largohen nga Shqipëria.
Ajo theksoi se të rinjtë po ngrenë zërin për çështje që i prekin drejtpërdrejt. Sipas saj, brezi i ri i ka të qarta kërkesat dhe problemet me të cilat përballet.
“Të rinjtë dhe studentët ngrenë kokën për gjëra dhe pengesa që i prekin në përditshmëri. Një nga problemet është arsimi. Si nënë, mendoj sot që fëmijët e mi duhet të largohen nga vendi. Ky brez i ri i ka të qarta gjërat në kokë”, deklaroi Cenko.
Gjatë bisedës, mjekja foli edhe për pasojat që mund të shkaktojnë mjetet e përdorura gjatë ndërhyrjeve policore në protesta. Për gazin lotsjellës, ajo shpjegoi se ndikimi i parë është në frymëmarrje, ndërsa ngriti shqetësimin edhe për dëmtime të mundshme në lëkurë.
“Gazi lotsjellës impaktin e parë e ka në frymëmarrje, më tej shoqërohet edhe me dëmtime në lëkurë. Nuk dihet përmbajtja e lëndëve të përdorura dhe mund të çojë deri në djegie të lëkurës”, u shpreh ajo.
Cenko paralajmëroi gjithashtu për rrezikun nga goditjet me plumba gome në bark apo në qafë. Sipas saj, goditjet në këto zona mund të shkaktojnë pasoja të rënda.
“Është shumë e habitshme të gjuash me plumb gome edhe në bark, pasi mund të japë gjakderdhje të brendshme, ndërsa në qafë preken zona vitale, arterie”, tha mjekja.
