Ish-të burgosur lufte ukrainas, të cilët janë mbajtur në burg së bashku me amerikanin e moshuar Stephen Hubbard, kanë rrëfyer abuzimet që, sipas tyre, ai ka përjetuar nga rojet ruse. Ata treguan se Hubbard është rrahur me shkopinj, është lënë i uritur dhe është detyruar të zvarritet përgjatë korridorit. Sipas dëshmive të tyre, rojet i kanë ndërsyer edhe qen.
Gazetari ukrainas Dmytro Khilyuk, i liruar në vitin 2025, i tha medias Current Time se amerikani i nënshtrohej vazhdimisht presionit psikologjik dhe poshtërimit.
Sipas Khilyuk, megjithëse Hubbard mezi fliste rusisht, rojet e detyronin të mësonte përmendësh himnin kombëtar rus dhe rregullat e burgut. Sa herë që gabonte, e kërcënonin se do të ndëshkonin edhe të burgosurit e tjerë në qelinë e tij.
Gazetari rrëfeu se rojet shkonin në orare të ndryshme për t’i kontrolluar qelinë, i bërtisnin dhe e fyenin. Mes talljeve që, sipas dëshmive, i drejtoheshin amerikanit ishte edhe pyetja: “Çfarë ke, Yankee, a të ka ardhur në majë të hundës lufta?”.
“Ata kishin një lloj interesi të sëmurë dhe sadist për të”, u shpreh Khilyuk, duke përshkruar trajtimin e Hubbard nga rojet.
Duke iu referuar këtyre përjetimeve, gazetari ukrainas i cilësoi të turpshme deklaratat e të dërguarit amerikan Steve Witkoff, i cili e kishte përshkruar presidentin rus Vladimir Putin si “humanist”.
