Një seri lëkundjesh sizmike ka shkaktuar shqetësim në Siçili, ku tërmeti më i fortë, me magnitudë 5.7, është regjistruar rreth orës 12:20. Sipas raportimit të Newsbomb, lëkundjet janë ndier veçanërisht në zonat e Mesinës dhe Palermos, ndërsa është lëshuar një paralajmërim portokalli për cunami.
Epiqendra ndodhej në pjesën jugore të Detit Tirren, në veriperëndim të Ishujve Eolianë, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë të cituara në raportim. Gjatë valës sizmike janë regjistruar edhe 11 tërmete të tjera me magnitudë mbi 3.0.
Pas lëkundjeve dhe paralajmërimit për cunami, shkolla në Palermo dhe Mesinë janë evakuuar si masë paraprake. Kreu i Mbrojtjes Civile të Siçilisë, Salvo Cocina, ka urdhëruar vendosjen e menjëhershme në gjendje alarmi dhe gatishmërie për ndërhyrje të komunave të prekura.
Gjithashtu, është evakuuar një gjykatë në Trapani, ndërsa dhjetëra banorë kanë dalë në rrugë nga frika e lëkundjeve. Sipas informacionit të raportuar, deri në atë moment nuk ishin njoftuar dëme materiale.
Lëkundja e parë e kësaj serie, me magnitudë 3.3, është regjistruar në orën 11:04 në zonën e Ishujve Eolianë. Më pas kanë vijuar tërmete të tjera, deri te goditja më e fortë e mesditës, e cila ka nxitur marrjen e masave paraprake nga autoritetet.
