Një turiste amerikane 36-vjeçare ka humbur jetën pasi ra nga një lartësi rreth 300 metrash në Dolomitet e Italisë, ku po shëtiste me familjen e saj.
Viktima është Michelle Alejandra Rubio Leyva nga Florida, e cila punonte në fushën e komunikimit. Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, dyshohet se ajo ishte larguar nga shtegu i shënuar për të shkuar drejt një pike panoramike dhe për të bërë një fotografi.
Gjatë lëvizjes në një pjesë të ekspozuar të malit, 36-vjeçarja ka rënë në humnerë. Motra e saj ka dhënë menjëherë alarmin, duke kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës.
Ekipet e shpëtimit dhe personeli mjekësor kanë mbërritur në zonë dhe kanë zbritur përgjatë shpatit për të arritur tek turistja. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, ajo është konstatuar e vdekur në vendngjarje.
Sipas medias italiane il Dolomiti, familja po shkonte drejt një stacioni teleferiku për t’u ngjitur në Sass Pordoi, një destinacion i njohur për pamjet panoramike të majave të Dolomiteve.
