Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk pret një përhapje të gjerë të virusit Shamonda, pas vdekjes së një burri në Francë, në atë që raportohet si rasti i parë i dokumentuar i infektimit të një njeriu nga ky virus.

Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, tha se informacionet e disponueshme dhe njohuritë për viruset e ngjashme sugjerojnë se bëhet fjalë për një rast të izoluar. Megjithatë, organizata ende nuk ka përgatitur një vlerësim zyrtar të rrezikut.

Sipas Ministrisë Franceze të Bujqësisë, pacienti ndërroi jetë në fillim të tetorit. Ai vuante nga një imunodefiçencë e rëndë, gjendje që dobëson ndjeshëm aftësinë e organizmit për t’u mbrojtur nga infeksionet.

Martin Beer, ekspert në Institutin “Friedrich Loeffler” në Gjermani, shpjegoi se një sistem imunitar shumë i dobësuar mund të lehtësojë infektimin dhe shumimin e virusit në organizëm.

Deri më tani, Shamonda ishte zbuluar vetëm te kafshët, përfshirë gjedhët dhe kuajt. Dyshohet se burri, i cili jetonte në Francën lindore, u infektua nga një insekt i vogël pickues. Në të njëjtin rajon ishin raportuar më herët gjatë vitit infeksione te kafshët.

Sipas OBSH-së, transmetimi i viruseve përmes këtyre insekteve priret të ulet gjatë muajve të ftohtë. Instituti “Friedrich Loeffler” shpjegon se ato janë të përhapura në Evropën Qendrore dhe zakonisht janë aktive nga prilli deri në nëntor.

Virusi është evidentuar te kafshët edhe në disa vende të tjera evropiane, përfshirë Gjermaninë, Austrinë, Zvicrën, Belgjikën, Holandën, Spanjën dhe Italinë.

Pavarësisht rasteve te kafshët, OBSH vlerëson se informacionet aktuale nuk sugjerojnë një përhapje të gjerë te njerëzit. Rrethanat e infektimit në Francë dhe vlerësimi përfundimtar i rrezikut mbeten për t’u sqaruar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb