Gazetari Basir Çollaku, në studion e News24, ngriti akuza për dhunë ndaj të rinjve në komisariate dhe ngacmime ndaj vajzave nga punonjës të policisë. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ushtron presion mbi gjyqtarët dhe prokurorët pas vendimeve në favor të protestuesve.
Çollaku kundërshtoi gjithashtu pretendimet për përfshirjen e ANTIFA-s në protesta dhe ia atribuoi sulmet ndaj bizneseve e Qytetit Studenti personave të infiltruar.
“Ka dhunë në komisariate, ka ngacmime të vajzave nga ana e policëve. Ka video për këto, ka fakte nga denoncimet. Ka dëshmi të të rinjve. Ka pasur rrëfime të studentëve që kanë sjellë këtë alarm. Janë një pafundësi gjërash alarmante. Çfarë ka tjetër më shumë se kaq? Ata sillen mbi qytetarët! Rama ushtron presion mbi gjyqtarë dhe prokurorë, pasi vendimmarrja ishte në favor të të rinjve. Ata duhet të mbajnë një njeri në qeli, por ky është kryeministri. Nëse arrijmë në këtë fazë, Shqipëria do t’i kthehet normalitetit. Nëse ia del Rama, Shqipëria nuk do të integrohet kurrë. Nëse ka ANTIFA në Shqipëri, ai është vetë Rama. Është një përpjekje e tillë nga Rama për të tërhequr vëmendjen e amerikanëve, që të manipulojë. Nuk kanë dorë studentët që të sulmojnë bizneset apo edhe Qytetin Studenti! Njerëz të infiltruar brenda tyre, po.”, tha ai.
