Në ditën e protestës kombëtare, kryeministri Edi Rama ashpërsoi gjuhën ndaj protestuesve, duke paralajmëruar pasoja penale dhe financiare për personat që, sipas tij, janë përfshirë në dhunë.
Ai përsëriti pretendimet për praninë e ANTIFA-s dhe personave me të shkuar kriminale në protesta, ndërsa deklaroi se shteti do të vijojë veprimet me këmbëngulje. Rama njoftoi gjithashtu se së shpejti do të bëhen publike propozime dhe masa konkrete.
“Së shpejti do të bëjmë me dije masat që do të marrim. Do të dalim me propozime shumë shpejt dhe me masa konkrete. Kush thotë se deri më sot paskemi qenë indiferentë ndaj atyre që erdhën poshtë dritares së zyrës sime për katër muaj, unë në fakt kam dëgjuar më shumë se çdokush tjetër. Madje më shumë se ata kanë dëgjuar njëri-tjetrin. Unë kam qenë në zyrë dhe ata kanë sharë e kërcënuar poshtë zyrës. Kanë refuzuar në vazhdimësi që të ulen dhe të bisedojnë. S’kam ndërmend që të tregoj bisedat e mia dhe mesazhet me ata që ishin aty poshtë. Kanë pasur frikë se mos quheshin tradhtarë. Janë një grup ANTIFA aty, i ideologjizuar nga profesori i njohur i dhunës që e njohin të gjithë, dhe që kanë një aftësi dhe kapacitet të spikatur për t’i futur të tjerët në terror psikologjik dhe që t’i detyrojnë të tjerët që t’u shkojnë nga pas. Ka pasur dhe nga ata kriminelë pjesë e protestës. Ditët në vijim, kur të çlirohemi, do të sjellim fakte. Ata që i bëjnë jehonë dhunës duhet të kuptojnë se aq sa intensiv ishte terrori urban dhe mbi bizneset, aq do të jetë e zgjatur dhe këmbëngulëse ajo që vjen nga ana e shtetit. Kush mendon se gjunjëzon shtetin, bën kalkulimin e gabuar. Kush fshihet pas masës së studentit, mund të sjellë këtu terrorin urban të ANTIFA-s dhe të bëjë këtu punën e atyre që e duan Shqipërinë nga ana fetare dhe e mirëkuptimit, duhet ta ketë të qartë: s’do t’ia dalë, por do të paguajë. Që nga penalja për ushtrim të dhunës deri te fatura financiare.”, tha ai.
