Media greke “Newsbomb.gr” i ka kushtuar një artikull protestave në Shqipëri, duke e cilësuar tubimin kombëtar të së shtunës, më 24 tetor, si një moment vendimtar për vijimësinë e lëvizjes që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas medias greke, organizatorët parashikojnë pjesëmarrjen e mbi 10 mijë qytetarëve, ndërsa mbështetja për protestat është zgjeruar me përfshirjen e mjekëve, përfaqësuesve të biznesit, artistëve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme.
“Newsbomb” ndalet te protesta e mjekëve të së premtes dhe te mbështetja e bizneseve në qendër të Tiranës. Sipas artikullit, shumë dyqane kanë njoftuar se do të qëndrojnë të mbyllura në mbështetje të mobilizimit.
Vëmendje të veçantë media greke i kushton organizimit të studentëve, të cilët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje edhe nga qytete të tjera. Artikulli thekson se ata këmbëngulin në ruajtjen e pavarësisë së protestës nga partitë politike, duke shprehur kritika si ndaj kryeministrit Rama, ashtu edhe ndaj kreut të opozitës, Sali Berisha. Në shkrim pasqyrohet edhe ftesa e përsëritur e Ramës për dialog, e cila, sipas medias greke, nuk i ka bindur protestuesit të heqin dorë nga kërkesa për largimin e tij.
Një tjetër çështje në fokus është publikimi nga kryeministri i 45 fotografive të personave që ai pretendon se kanë të shkuar kriminale dhe nuk janë studentë. “Newsbomb” shkruan se ky veprim ka nxitur reagime dhe akuza për përpjekje për frikësimin e protestuesve.
Media sjell rastin e një studenti 20-vjeçar të mjekësisë, i cili ka deklaruar për mediat shqiptare se është student me rezultate të shkëlqyera dhe ka mohuar lidhjen me akuzat që i janë atribuar pas publikimit të fotografisë së tij. Sipas “Newsbomb”, për protestën pritet angazhimi i mbi 2500 efektivëve të policisë. Media greke vlerëson se pjesëmarrja në tubimin e sotëm dhe mënyra e reagimit të qeverisë do të ndikojnë në rrjedhën e mëtejshme të krizës politike.
