Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, iu bashkua protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku deklaroi se opozita është në shesh për të mbështetur studentët.
Gjatë prononcimit, Blushi u ndal te rasti i studentit të ekselencës Jon Sinoimeri dhe akuzat e bëra ndaj tij nga kryeministri Edi Rama, të cilat i cilësoi shpifje.
Sipas Blushit, shqetësimi më i madh që ngre ky rast është mungesa e besimit te institucionet. Ai iu referua deklaratës së studentit se nuk do ta denonconte çështjen, pasi nuk besonte te strukturat shtetërore.
“Opozita ka qenë në shesh prej kohësh. Ashtu siç jemi sot në mbështetje të studentëve. Por dua të veçoj akuzën e rëndë që bëri dje studenti i ekselencës, Jon Sinoimeri. Akuza më e rëndë e tij nuk ishte shpifja e Ramës, por fakti që ai tha: ‘Nuk denoncoj sepse nuk kam besim tek institucionet shtetërore’. Pra, kur institucionet e shtetit kanë rënë dhe qytetarët nuk kanë më besim tek to, populli del në rrugë”, u shpreh Blushi.
