Analisti dhe studiuesi Evarist Beqiri, i ftuar në emisionin “News24 Fundjavë”, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e bërë përgjegjës politikisht për dhunën e raportuar ndaj studentëve dhe të rinjve gjatë protestave në Tiranë. Beqiri paralajmëroi se efektivët e policisë që zbatojnë urdhra të paligjshëm nuk duhet të mendojnë se do t’i shpëtojnë drejtësisë, ndërsa deklaroi se përpjekjet e kryeministrit për të frenuar protestat përmes forcës po japin efektin e kundërt.

Sipas tij, dhuna ndaj të rinjve ka nxitur edhe më shumë zemërimin e qytetarëve, duke shtuar pjesëmarrjen në protesta. Ai akuzoi qeverinë se po përdor institucionet shtetërore për të mbrojtur pushtetin e kryeministrit, ndërsa e cilësoi të papranueshme sjelljen e efektivëve ndaj protestuesve.

“Të gjithë ata që zbatojnë urdhra sot dhe u duken urdhra të paligjshëm, dhe u duket vetja të paprekshëm, të mos harrojnë një gjë: nesër do të gjenden të pambrojtur. Ky ka lënë të pambrojtur para ligjit, para drejtësisë, këshilltarët apo njerëzit e tij më të ngushtë. Kujtojeni historikun e tij, kurbanet që bën.

Ndërkohë, ata mendojnë se do t’i shpëtojnë forcës së ligjit dhe drejtësisë, ata që dhunojnë dhe sakatojnë shqiptarët në rrugë. Mendoni ju se do të shpëtojnë ata, kur po shkojnë zëvendëskryeministra apo ministra para drejtësisë? Mendoni se këta do të shpëtojnë pa shkuar te drejtësia nesër? Këta që dhunojnë pa të drejtë, pa ligj, nuk po them në mbrojtje të ligjit, le të jenë atje ku duhet, por këta që dalin si banditë, si milici personale e këtij individi, që dalin dhe dhunojnë nëpër rrugët e Tiranës në errësirë.

Siç raportohet nga media, dje ka pasur terror të përsëritur në rrugët e Tiranës, një situatë e paprecedentë. Kemi ndjekur që numrat në bulevard ishin shtuar, sepse këtij po i kthehet gjithçka në efekt bumerang. Masakrat që u bënë të rinjve të këtij vendi i kthejnë edhe prindërit me më shumë mllef në shesh.

Këtu ka rënë shteti i së drejtës. Institucionet janë kthyer në shërbim të një individi dhe kjo është gjëja më makabre. Kapitullimi i tij është i firmosur. Shtyn vetëm ditët, shtyn kohën, mbron veten”, u shpreh ai.

Beqiri kritikoi ashpër edhe publikimin nga kryeministri të fotografive dhe të dhënave të të rinjve të përfshirë në protesta, duke e akuzuar se po i paraqet ata publikisht si persona me precedentë penalë, pa bërë dallimin mes shoqërimit në polici dhe një dënimi penal.

Analisti u ndal gjithashtu te ftesat e përsëritura të Ramës për dialog me studentët, duke deklaruar se, sipas tij, ndërhyrjet e dhunshme të policisë kanë shkatërruar çdo mundësi për bisedime.

“Ai i ka thyer urat e dialogut dhe me veprimet e fundit, dhe me atë që bëri mbrëmë. Është thyerje përfundimtare e urës së dialogut. Kush mund të marrë guximin apo të ketë gjykimin e shëndoshë dhe të dialogojë me një njeri që dhunon fëmijët e këtij vendi dhe thotë janë rrugaçë, janë kriminelë?

Ndërkohë, çfarë ishte ai djali që rrezikon t’i dalë syri? Çfarë ishte ai tjetri që për pak iu dëmtua shtylla kurrizore dhe kafka? Çfarë ishte ai tjetri që i thyen këmbën? Çfarë ishin këta? Çfarë përfaqësonin këta?”, tha ai.

Në vijim, Beqiri hodhi poshtë edhe pretendimet e kryeministrit për përfshirjen e elementëve të huaj apo kriminalë në protesta, duke kërkuar që qeveria të paraqesë prova konkrete për akuzat.

“Nëse protesta qenka infiltruar nga të huajt, sipas tij, atëherë duhet të mbajë përgjegjësi ai dhe institucionet e tij që kanë lejuar të ndodhë kjo gjë në Shqipëri. Duhet ta kishte parandaluar Shërbimi Informativ, Policia e Shtetit. Ku i ka këto ai? Pse e lejuan të ndodhte kjo? Tani po kujtohet ky që ndodhi kjo, për të nxjerrë alibi. Nuk di çfarë alibie të nxjerrë. Ndërkohë, fakte nuk ka, prova nuk ka. Paraqiti ndonjë fakt ai aty? Ndonjë provë? Nëse këta njerëz janë të përfshirë ose janë të futur nga ky vend dhe nga ai vend, nga krimi, siç thotë ai, pse s’veprojnë organet? Ku është lidhja me protestën? Ku është lidhja shkak-pasojë?” u shpreh Beqiri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb