Kreu i degës së Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, ka denoncuar publikisht presione të dyshuara të policisë ndaj banorëve të Bashkisë Krujë, me qëllim pengimin e pjesëmarrjes së tyre në protestat kundër qeverisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kalaja pretendon se disa qytetarë janë thirrur gjatë ditës së sotme në polici, ku u është bërë presion që të mos marrin pjesë në tubime.

Sipas tij, në disa raste efektivët kanë shkuar edhe në banesat e qytetarëve me katër automjete policie, veprime që ai i cilëson si metoda frikësimi.

“Këto janë metodat e terrorit që Edi Rama të mbajë pushtetin”, shprehet Kalaja.

Përfaqësuesi demokrat e lidh denoncimin edhe me plagosjen e rëndë të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli gjatë protestës në Tiranë, duke kërkuar përgjegjësi për incidentin.

Kalaja akuzon policinë se, në vend që të sqarojë përgjegjësitë për plagosjen e të riut, po ushtron presion ndaj qytetarëve që dëshirojnë të protestojnë.

Reagimi i plotë i Aulon Kalasë:

“Banorë të Bashkisë Krujë janë thirrur sot në polici, duke iu bërë presion që të mos dalin në protestë. Disa prej tyre u kanë shkuar në shtëpi me 4 makina policie.

Këto janë metodat e terrorit që Edi Rama të mbajë pushtetin.

Ne menduam se do të kishim ndonjë përgjegjësi për policin që i nxori syrin të riut nga Elbasani, por jo, policia ushtron terror ndaj qytetarëve të lirë që të mos dalin më në shesh.

Përballë do të na keni.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb