Me njërin sy të fashuar, të rinjtë kanë dalë përpara Kryeministrisë në Tiranë për të shprehur solidaritetin me 28-vjeçarin Erjon Vishkulli, i cili u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës së një dite më parë.
Në ditën e 13-të të revoltës studentore, protestuesit kanë zgjedhur këtë gjest simbolik për të sjellë në vëmendje plagosjen e të riut dhe për të denoncuar dhunën e pretenduar policore gjatë demonstratave.
Të rinjtë e cilësuan Erjon Vishkullin si heroin e protestës, duke theksuar se ai rrezikoi shikimin gjatë pjesëmarrjes në tubimin kundër qeverisë së Edi Ramës.


“Solidarizohemi me Erjon Vishkullin, që u qëllua me plumb gome në sy. Erjoni është dërguar nga familjarët dhe miqtë në Itali për trajtim më të specializuar”, u shprehën protestuesit.
Ata theksuan se plagosja e 28-vjeçarit është një tjetër arsye për të vijuar protestën, ndërsa shprehën shqetësimin për pasojat që mund të sjellë përdorimi i forcës ndaj demonstruesve.
“Erjoni sot është heroi i protestës. Sakrifikoi nga vetja për protestën. Kjo qeveri mund të na marrë edhe jetën, jo vetëm syrin”, deklaruan të rinjtë.
Erjon Vishkulli u plagos gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë dhe është nisur drejt Italisë për trajtim të specializuar mjekësor, me shpresën për të shpëtuar shikimin.
Motra e tij reagoi publikisht, duke sqaruar se transferimi drejt Italisë u mundësua nga familjarët, miqtë dhe mbështetësit e familjes, dhe jo nga shteti, siç ishte pretenduar në deklaratat politike.
Ndërkohë, protestuesit vijojnë të qëndrojnë përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe përgjegjësi për plagosjet e regjistruara gjatë ndërhyrjeve të forcave të rendit.
