Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së motrës së Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit që u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës në Tiranë dhe u dërgua në Itali për trajtim të specializuar mjekësor.

Pasi familjarja e të riut deklaroi publikisht se transferimi drejt Italisë ishte mundësuar nga familja, miqtë dhe mbështetësit, dhe jo nga shteti, Rama ka këmbëngulur se ishte ai personalisht që mori iniciativën për dërgimin e 28-vjeçarit në Romë.

Në reagimin e tij, kryeministri shprehu keqardhje për personat që lexojnë, shpërndajnë apo publikojnë postimin e motrës së Vishkullit, duke kundërshtuar pretendimet e saj.

“Motra e djalit nga Elbasani ka postuar tekstin e bashkëngjitur, kështu që me keqardhje të madhe duhet të kthehem në këtë temë për të gjithë ata që lexojnë, ndajnë ose publikojnë postimin e saj”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë pretendon se fluturimi mjekësor dhe shpenzimet e trajtimit janë mundësuar nga shteti shqiptar, duke mohuar deklaratën e familjares.

“Siç informova më parë, iniciativa për shërbimin e specializuar mjekësor për djalin në Itali nuk u mor nga ‘persona’, por nga unë personalisht, dhe udhëtimi i tij në Romë me fluturim mjekësor, si dhe mbulimi i shpenzimeve, u mundësuan pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër!”, deklaron kryeministri.

Rama shton se e ka takuar të riun përpara nisjes drejt Italisë dhe se i ka uruar udhëtim të mbarë në aeroport.

“Në fakt, i urova një udhëtim të mbarë pak para se të nisej së bashku me vëllain e tij nga salla VIP e aeroportit, nga ku unë vetë u nisa jashtë vendit”, shprehet ai.

Në vijim, kryeministri mohon se ndërhyrja e tij ka pasur për qëllim protagonizmin politik, ndërsa përdor sërish termin “abuzues” në reagimin për të plagosurin dhe protestat.

Reagimi i kryeministrit vjen pasi motra e Erjon Vishkullit kërkoi që rasti i vëllait të saj të mos përdoret për propagandë politike.

“STOP FAKE NEWS! E kanë çuar familja, miqtë dhe mbështetësit e familjes tonë dhe JO SHTETI. Shpërndani lajme të sakta”, shkroi ajo në Instagram.

Deklaratat e kundërta të kryeministrit dhe familjares kanë krijuar një përplasje publike mbi mënyrën e organizimit dhe financimit të transferimit të 28-vjeçarit në Itali.

Ndërkohë, Erjon Vishkulli ka njoftuar se ka mbërritur në një spital në Romë, ku do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale, me shpresën për të shpëtuar shikimin e dëmtuar gjatë protestës së 24 tetorit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb