Kryeministri Edi Rama prezantoi paketën e masave të paralajmëruara kundër akteve të dhunës gjatë protestave, ndërsa reagimet politike nuk kanë munguar. Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, e cilëson këtë nismë si një përpjekje për të instaluar zyrtarisht regjimin dhe për të ndëshkuar kritikët e kundërshtarët e qeverisë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Muçollari akuzon Ramën se po synon t’i japë më shumë pushtet policisë përmes gjobave dhe masave ndëshkuese ndaj protestuesve, ndërsa paralajmëron se mungesa e reflektimit nga qeveria do ta thellojë edhe më tej konfliktin në vend.

Postimi
Edi Rama me projekt ndëshkimi për kritikët e kundërshtarët
Projekti që ka në mendje Edi Rama është instalimi zyrtar i regjimit dhe i jep atij kontroll të plotë mbi kritikët e kundërshtarët, i jep fuqi në përndjekjen e tyre në çdo drejtim.
Paketa me ndryshime që propozon është dizajnuar e gjitha për të ndëshkuar këdo që është kundër tij, që kërkon largimin e tij.
Janë masa penalizuese për atë që proteston apo që shprehet në rrjete sociale kundër tij.
Duke i dhënë pushtet të pakufishëm policisë, ai synon të ngrejë një mekanizëm që do të ketë në dorë fatin e kujtdo që nuk është simpatik për regjimin, që nga penalizimi me gjoba të rënda disamilionëshe e deri në pengimin e qarkullimit, si në qytet, apo edhe pengimin për të dalë jashtë vendit. Nuk ishin të rastësishme sulmet e përsëritura ndaj gazetarëve dhe kamerave të Neës 24.
Një çmenduri totale e një njeriu të sëmurë që është gati ta kthejë Shqipërinë pas në diktaturë vetëm për të mbajtur karrigen dhe privilegjet e tij.
Njerëzve u ka ardhur në majë të hundës me propagandën e tij 13-vjeçare, ndërkohë ai vendos censurën.
Spitalet janë plot me të plagosur nga dhuna barbare në protesta, ai i jep edhe më shumë pushtet policisë.
Kjo mungesë reflektimi dhe ndjekja e kursit të kundërt do të thellojnë edhe më shumë konfliktin në vend.
Me forcë nuk do ta mbajë dot pushtetin, vetëm po zgjat agoninë e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb