Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për incidentet e dhunshme të raportuara në disa qendra votimi në Serbi, ku këtë të diel po zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, u ka bërë thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë, të tregojnë përgjegjësi dhe të shmangin çdo veprim që mund të përshkallëzojë tensionet gjatë procesit zgjedhor.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, diplomati evropian theksoi se qytetarët serbë duhet të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike të votës në kushte të sigurta dhe pa frikë nga dhuna.
“U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të qëndrojnë të qetë, të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen nga dhuna dhe provokimet, si dhe institucioneve kompetente të sigurojnë sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor”, shkroi von Beckerath.
Reagimi i përfaqësuesit të BE-së vjen pas raportimeve për incidente në disa qendra votimi, të cilat kanë ngritur shqetësime për sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që po mbahen këtë të diel në Serbi marrin pjesë 18 lista zgjedhore.
Bashkimi Evropian ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të garantojnë sigurinë e votuesve dhe të gjithë personave të përfshirë në administrimin e zgjedhjeve.
