Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ndaj përdorimit të forcës nga policia gjatë protestave të ditëve të fundit, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama se po përdor institucionet shtetërore për të ruajtur pushtetin.
Përmes një deklarate, Balliu ngre shqetësimin për përdorimin e plumbave ndaj protestuesve, duke pretenduar se ata nuk synojnë neutralizimin, por shkaktimin e dëmtimeve të rënda.
“Këto plumba nuk janë për neutralizim, por për asgjësim!”, deklaron deputeti demokrat.
Sipas Balliut, përdorimi i forcës kundër qytetarëve që protestojnë kërkon një hetim të plotë, jo vetëm për veprimet e efektivëve në terren, por edhe për përgjegjësitë e drejtuesve që kanë dhënë ose lejuar urdhra të tillë.
“Një qeveri që përdor dhunën kundër popullit të vet për të mbrojtur pushtetin, nuk mund të fshihet pas uniformave dhe institucioneve të shtetit. Kur forca publike kthehet në instrument dhune kundër qytetarëve, kemi të bëjmë me një shkelje që kërkon hetim të plotë dhe përgjegjësi ligjore”, shprehet ai.
Deputeti i opozitës kërkon që organet kompetente të hetojnë zinxhirin e komandimit dhe të përcaktojnë përgjegjësinë e çdo zyrtari që mund të ketë urdhëruar, lejuar apo justifikuar përdorimin e paligjshëm të forcës.
“Është koha që të hetohet deri në fund përdorimi i forcës kundër protestuesve, zinxhiri i komandimit dhe përgjegjësia e çdo zyrtari që ka urdhëruar, lejuar apo justifikuar dhunën”, thekson Balliu.
Ai akuzon gjithashtu qeverinë se po i përdor institucionet shtetërore për të mbrojtur pushtetin politik të kryeministrit Edi Rama, në vend që të garantojë sigurinë dhe të drejtat e qytetarëve.
“Asnjë pushtet nuk është mbi ligjin. Asnjë urdhër nuk e justifikon dhunën e paligjshme. Dhe asnjë qeveri nuk mund ta nënshtrojë një popull që kërkon liri, drejtësi dhe dinjitet!”, përfundon deputeti demokrat.
Reagimi i Balliut vjen pas incidenteve të regjistruara gjatë protestave studentore, ku janë raportuar persona të lënduar dhe akuza për përdorim joproporcional të forcës nga policia.
