Mjeku Ermal Pasha ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të forcës nga policia gjatë protestave studentore, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama se po nxit dhunën në vend që të garantojë sigurinë dhe jetën e qytetarëve.

Në një intervistë për News24, Pasha deklaroi se detyra themelore e një shteti duhet të jetë mbrojtja e jetës, ndërsa ngriti shqetësime për përdorimin e sprajit djegës dhe gazit lotsjellës ndaj protestuesve.

“Vokacioni i një shteti duhet të jetë jeta. Çdo dhunë duhet trajtuar nga ligji, por dhuna më e madhe po induktohet”, u shpreh mjeku.

Ai kujtoi protestat e mëparshme, në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri, duke theksuar se shumë prej protestuesve të sotëm u kanë dhuruar lule efektivëve të policisë. Pasha tregoi edhe përvojën e tij personale me sprajin djegës, duke deklaruar se ishte goditur në fytyrë gjatë një prej protestave dhe kishte pasur nevojë për trajtim mjekësor.

“Këta efektivë hedhin spraj djegës, që është i tmerrshëm. E provova vetë para pak ditësh në fytyrë. Bëra trajtime që të mos më binte lëkura. Djegiet mund të shkojnë deri në shkallën e tretë. Nuk i trajton dot as me ujë”, deklaroi ai.

Mjeku ngriti gjithashtu pikëpyetje për identifikimin e efektivëve të angazhuar në protesta, duke pretenduar se disa prej tyre nuk mbajnë shenja të dukshme identifikuese.

“Çfarë induktimi mund të kenë oficerët, që nuk dimë nëse janë të tillë, sepse nuk janë të identifikueshëm?. Del pa pikë turpi Rama dhe thotë se ofrojmë asistencë psikologjike. Mjafton të ulësh dhunën.  Gazi lotsjellës dje ka qenë i tmerrshëm. Ditët e tjera na merrej fryma, dje na digjte lëkura. Oficerë të FNSH-së dje mblidhnin kapsolla. Si nuk ka një hetim? Po dëgjojmë makabritete. Këto janë makabritete që cenojnë dhe dhunojnë çdo nivel të jetës. Vokacioni i një qeverie duhet të jetë shpëtimi i jetës”, theksoi ai.

Në një nga deklaratat më të forta, Pasha iu referua plagosjeve në sy të protestuesve, përfshirë rastin e Erjon Vishkullit, duke ngritur pyetjen:

“Sa sy duhet të humbim që ne të na vijë ‘shikimi’?”

Mjeku u bëri thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos përfshihen në veprime që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

“I bëj thirrje policisë që të mos bëhen mish për top. Zgjidhja duhet të jetë vetëm politike”, deklaroi ai.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb