Studenti Orion Çela ka deklaruar se protestat në Shqipëri do të vijojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ka komentuar edhe fitoren e Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi, sipas rezultateve paraprake të publikuara nga CeSID.
Në një intervistë me Klevin Mukën në News24, Çela theksoi se studentët shqiptarë janë të vendosur të vazhdojnë qëndresën, duke kërkuar ndryshim politik dhe kushte më të mira jetese. Ai ngriti shqetësimin për mungesën e mundësive të punësimit për të diplomuarit, kostot e larta të jetesës dhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballen të rinjtë.
Studenti tregoi se është detyruar të punojë gjatë gjithë viteve të studimit, përfshirë edhe periudhën aktuale kur ndjek studimet master, për të përballuar shpenzimet e shkollimit dhe jetesës.
“Do të vijojmë me protestën deri në largimin e Ramës. Tregu i punës është problem. Ka të diplomuar që nuk gjejnë punë. Kam punuar gjatë gjithë viteve që studioja dhe tani që jam në master, sepse nuk mund të mbash ndryshe edhe shkollën, edhe veten. Ky është një stres më shumë për studentët”, u shpreh Çela.
Ai u ndal edhe te vështirësitë e çifteve të reja për të siguruar një banesë, duke theksuar se çmimet e larta i detyrojnë shumë prej tyre të marrin kredi afatgjata.
“Çiftet e reja nuk blejnë dot shtëpi dhe zhyten në kredi”, deklaroi studenti.
Çela hodhi poshtë edhe akuzat për financim të protestave nga faktorë të huaj, duke theksuar se studentët nuk paguhen nga askush për të dalë në shesh.
“Rama na ka bërë të huaj, iranianë. Nuk na paguan askush, madje nuk na paguan as shteti ynë si studentë, jo më të na paguajnë të huajt”, tha ai.
Në përfundim, studenti theksoi se pjesëmarrja e të rinjve në protesta është një përgjigje ndaj kërkesave të qytetarëve për ndryshim.
“Populli i priti studentët për katër muaj protesta dhe studentët erdhën. Studentët janë gjithmonë të gatshëm për popullin dhe Shqipërinë”, përfundoi Orion Çela.
