Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve në Serbi, duke e cilësuar humbjen e Aleksandër Vuçiçit si një lajm të jashtëzakonshëm dhe një mesazh të fortë për Edi Ramën.

Shehaj deklaroi se fitorja e opozitës në Serbi dëshmon se asnjë autokrat nuk mund ta mbajë pushtetin përgjithmonë, veçanërisht përballë protestave dhe vendosmërisë së të rinjve.

“Lajm i jashtëzakonshëm nga Serbia! Opozita fitoi! Vuçiç, miku i Edi Ramës, humbi zgjedhjet. Tani e ka radhën autokrati i fundit i Ballkanit, Edi Rama”, deklaroi Shehaj.

Kreu i Partisë Mundësia theksoi se zhvillimet në Serbi duhet të shërbejnë si një frymëzim për të rinjtë shqiptarë që protestojnë prej muajsh, duke kërkuar ndryshimin politik në vend.

“Është lajm shumë i mirë për të gjithë sepse tregon që asnjë autokrat nuk mund të mbajë pushtetin përgjithmonë. Asnjë autokrat nuk mund të mbajë pushtetin pavarësisht protestave të të rinjve, të studentëve”, u shpreh ai.

Në përfundim, Shehaj u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë protestat, duke shprehur bindjen se edhe Edi Rama mund të largohet nga pushteti.

“Ka ardhur momenti të iki dhe Edi Rama dhe mund ta largojmë. Duhet të vazhdojmë të protestojmë. Mund ta mundim dhe do ta mundim”, përfundoi Shehaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb