Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ku Lista Studentore ka shënuar një fitore ndaj forcës politike të presidentit Aleksandar Vuçiç. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Veliaj ka përgëzuar studentët serbë, ndërsa ka theksuar se politikanët duhet të kuptojnë ndryshimet që po kërkon brezi i ri.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur edhe Shqipëria po përballet me protesta studentore, të cilat kanë në qendër kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Edhe pse Veliaj nuk e përmend drejtpërdrejt Ramën, deklarata e tij për nevojën që politikëbërësit t’u përgjigjen pritshmërive të brezit të ri mund të lexohet edhe në kontekstin e zhvillimeve politike në Shqipëri.
“Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit!”, shkruan Veliaj, duke iu referuar humbjes së Vuçiçit.
Kryebashkiaku i Tiranës thekson se protestat studentore nuk duhen parë si një kërcënim, por si shenjë e ndryshimit të një realiteti politik.
“Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë ‘fundi i botës’, por fundi i ‘një bote’. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate”, shprehet ai.
Veliaj ka përgëzuar gjithashtu shqiptarët në Serbi, të cilët, sipas projeksioneve të rezultateve zgjedhore, pritet të rrisin përfaqësimin e tyre në parlament nga një në dy mandate.
“Urime të përzemërta edhe shqiptarëve tanë në Serbi, të cilët, sipas projeksionit aktual, e rrisin përfaqësimin e tyre nga një në dy mandate. Një zë më i fortë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi!”, përfundon Veliaj.
Reagimi i plotë:
Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit!
Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate.
Urime të përzemërta edhe shqiptarëve tanë në Serbi, të cilët, sipas projeksionit aktual, e rrisin përfaqësimin e tyre nga një në dy mandate. Një zë më i fortë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi!
