Momente paniku janë regjistruar në portin e Bremerhavenit, në Gjermani, ku një anije turistike me më shumë se 3,300 persona në bord është përplasur me anije mallrash të ankoruara. Incidenti ndodhi teksa anija turistike “Mein Schiff 3” po largohej nga porti për të nisur një udhëtim drejt Ishujve Kanarie. Erërat e fuqishme bënë që mjeti lundrues të devijonte nga kursi dhe të përplasej me anijet e kontejnerëve. Përplasja shkaktoi dëme materiale, ndërsa udhëtimi i planifikuar u anulua.
Në bordin e anijes turistike ndodheshin gjithsej 3,350 persona, prej të cilëve 2,428 pasagjerë dhe 922 anëtarë të ekuipazhit. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur anija e madhe turistike shtyhet nga erërat e forta dhe përplaset me mjetet e tjera lundruese të ankoruara në port. Sipas raportimeve, përplasja ka shkaktuar dëmtime në varkat e shpëtimit të anijes turistike, duke bërë të pamundur vazhdimin e udhëtimit drejt Ishujve Kanarie.
New footage shows the moment TUI Cruises’ Mein Schiff 3 collided with the docked container ship MSC Victorine in Bremerhaven, Germany. Strong winds pushed the cruise ship sideways despite tugboats trying to assist https://t.co/lELAkgnRbK
— Surajit (@surajit_ghosh2) October 26, 2026
Dëme janë raportuar edhe në njërën prej anijeve të mallrave të përfshira në incident. Sipas informacioneve paraprake, përplasja dyshohet se ka shkaktuar një çarje me gjerësi rreth 10 metra në strukturën e saj. Deri më tani, nuk janë dhënë informacione për persona të lënduar. Incidenti ka tërhequr vëmendje për shkak të numrit të madh të pasagjerëve në bord dhe pamjeve që tregojnë forcën e erërave gjatë manovrave të largimit nga porti.
