Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të jenë pranë një marrëveshjeje për uljen e tensioneve dhe pezullimin e përkohshëm të armiqësive, ndërsa përpjekjet diplomatike mes dy vendeve po intensifikohen. Ambasadori amerikan në Turqi, Tom Barrack, ka shprehur optimizëm se një përparim mund të arrihet brenda dy javëve të ardhshme, por ka paralajmëruar se kjo nuk do të nënkuptonte zgjidhjen përfundimtare të krizës.

Në një intervistë për CNN, Barrack vlerësoi rolin e Katarit, Pakistanit dhe aleatëve të tjerë të SHBA-së në ndërmjetësimin e kontakteve mes Uashingtonit dhe Teheranit. Sipas tij, palët janë pranë një mirëkuptimi për një proces që mund të çojë në ndërprerjen e përkohshme të operacioneve ushtarake dhe uljen e tensioneve në rajon.

Diplomati amerikan u tregua optimist, por theksoi se një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk mund të arrihet brenda një kohe të shkurtër. Megjithatë, dy javët e ardhshme mund të jenë vendimtare për ndërmarrjen e hapave të parë drejt një armëpushimi dhe krijimit të një kuadri të ri mirëkuptimi mes palëve.

Pavarësisht përparimit të mundshëm diplomatik, ambasadori amerikan nuk e përjashtoi mundësinë e një operacioni të ri ushtarak kundër Iranit.

I pyetur nga CNN nëse administrata e Donald Trump po shqyrton një sulm të shkurtër dhe të synuar, Barrack bëri të qartë se përdorimi i forcës ushtarake mbetet një mundësi që presidenti amerikan dhe ekipi i tij e marrin seriozisht në konsideratë. Megjithatë, ai nënvizoi se përpjekjet aktuale synojnë shmangien e një përshkallëzimi të mëtejshëm.

Nga ana tjetër, Teherani vijon të këmbëngulë në plotësimin e disa kushteve përpara arritjes së çdo marrëveshjeje. Kërkesat e Iranit përfshijnë heqjen e bllokadës detare amerikane, lirimin e fondeve iraniane të ngrira dhe mundësinë për të vijuar eksportet e naftës.

Ndërkohë, sipas Associated Press, zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar aleatët në rajon për mundësinë e sulmeve të reja ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të parashikuara për 3 nëntor. Deri më tani, Donald Trump nuk ka marrë një vendim përfundimtar për një operacion të ri ushtarak.

Në përfundim, Barrack theksoi se zgjidhja e krizës kërkon bashkëpunimin e vendeve të rajonit, durim dhe përgjegjësi nga të gjitha palët. Ai pranoi se Uashingtoni nuk mund ta imponojë i vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ndërsa zhvillimet e dy javëve të ardhshme pritet të tregojnë nëse përpjekjet diplomatike do të arrijnë të ndalin përkohësisht konfliktin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb