Është ndarë sot nga jeta në moshën 78-vjeçare diplomati, ish-deputeti dhe publicisti Bashkim Zeneli. Ai ka ndërruar jetë në një spital jashtë vendit pasi vuante nga një sëmundje, duke lënë pas një karrierë të gjatë në gazetari, politikë dhe diplomaci, si dhe një kontribut të rëndësishëm në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Zeneli ka qenë gazetar, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe ambasador i vendit tonë në Gjermani dhe Greqi.

Bashkim Zeneli ishte një nga intelektualët e hershëm të Partisë Socialiste dhe një prej figurave që u angazhuan në proceset politike të Shqipërisë pas vitit 1991, duke kontribuar në jetën politike dhe institucionale të vendit. Zeneli mbetet politikani modern që i hapi rrugë proceseve të demokratizimit të Shqipërisë dhe integrimit euroatlantik. Mendja brilante, pena e mprehtë dhe paqësore i tij do t’i mungojnë gazetarisë, diplomacisë, dhe politikës shqiptare.

Kush ishte Bashkim Zeneli?
I diplomuar në Drejtësi, ai e nisi karrierën si përkthyes i gjuhës gjermane, përpara se të angazhohej në gazetari dhe në analizën e politikës së jashtme.

Pas ndryshimeve demokratike, Zeneli mori detyrën e sekretarit për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Socialiste. Ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë për dy legjislatura dhe shërbeu gjithashtu si nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme.

Një pjesë të rëndësishme të karrierës ia kushtoi diplomacisë. Në vitet 1998–2002 shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Gjermani, ndërsa në periudhën 2002–2005 përfaqësoi vendin tonë në Greqi. Gjatë këtyre misioneve u angazhua për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht me dy vende të rëndësishme për Shqipërinë, si dhe për çështjen e Kosovës dhe mbështetjen e komunitetit shqiptar jashtë vendit.

Përvoja e tij diplomatike dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke u pasqyruan edhe në librin “Miqësi e trazuar”, ku Zeneli solli kujtime dhe analiza mbi zhvillimet dhe sfidat e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kontributi i tij në politikën e jashtme, gazetari dhe diplomaci u vlerësua edhe me disa çmime dhe dekorata. Në vitin 2018, Presidenti i atëhershëm Ilir Meta i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin për kontributin e veçantë në politikën e jashtme, si gazetar, publicist, deputet dhe ambasador, si dhe për përkushtimin ndaj çështjes kombëtare dhe integrimit euroatlantik të Shqipërisë.

Bashkim Zeneli do të kujtohet si një figurë e angazhuar në jetën publike shqiptare, me një karrierë që ndërthuri gazetarinë, politikën dhe diplomacinë. Mendja e tij analitike, pena e mprehtë dhe qasja paqësore do t’i mungojnë gazetarisë dhe diplomacisë shqiptare.

Nderimet zyrtare në kujtim të tij pritet të zhvillohen në ditët e ardhshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb