Rusia ka akuzuar ushtrinë ukrainase për shkeljen e armëpushimit humanitar në qytetin e Oleshky-t, në jug të Ukrainës, duke pretenduar se një automjet civil është goditur nga një dron ukrainas. Sipas Moskës, nga sulmi kanë mbetur të plagosur dy persona, një burrë dhe një grua. Incidenti raportohet një ditë përpara përfundimit të armëpushimit lokal, i cili u ndërmjetësua nga Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, me qëllim lejimin e dërgimit të ndihmave humanitare dhe krijimin e një korridori të sigurt për evakuimin e civilëve.

Lajmi është bërë i ditur nga i dërguari special rus, Rodion Miroshnik, përgjegjës për dokumentimin e asaj që Moska i cilëson si “krime” të autoriteteve ukrainase. Në një reagim në Telegram, ai pretendoi se automjeti po largohej nga qyteti në drejtim të fshatit Radensk, për të siguruar ushqime, kur u godit nga një dron. “Sipas autoriteteve lokale, në Oleshky, në kryqëzimin Nechaevsky, ndërsa një makinë civile po largohej nga qyteti drejt fshatit Radensk për të blerë ushqime, ajo u sulmua nga një dron ukrainas”, shkroi Miroshnik.

Ai shtoi se dy personat e plagosur janë transportuar për të marrë ndihmë mjekësore në spitalin e distriktit Oleshky. Armëpushimi i kufizuar në këtë zonë u bë i mundur pas ndërhyrjes së Melania Trump, e cila zhvilloi kontakte me përfaqësuesit rusë dhe ukrainas për të mundësuar hyrjen e ndihmave dhe largimin e banorëve që dëshironin të evakuoheshin. Deri më tani, pretendimi për sulmin ndaj automjetit civil mbetet një akuzë e palës ruse dhe nuk ka një konfirmim të pavarur për rrethanat e incidentit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: