Marko Kriçak, një prej drejtuesve më të fuqishëm të Policisë Serbe dhe kreu i Drejtorisë për Luftën kundër Krimit, është arrestuar të dielën në mëngjes me urdhër të Prokurorisë së Lartë në Beograd. Ai dyshohet për shpërdorim të detyrës, falsifikim provash dhe ushtrim presioni ndaj dëshmitarëve.

Në të njëjtën çështje është ndaluar edhe Boško Sekuloviç, drejtues i Shërbimit për Luftën kundër Krimit. Hetimi nisi pas një kallëzimi penal të bërë nga avokati i Veselin Miliçit, ish-shefit të Policisë së Beogradit dhe aktualisht ndihmësdrejtor i Policisë.

Dyshimet ndaj Kriçakut lidhen me hetimet për vrasjen e Aleksandar Neshoviçit, i njohur me nofkën “Baja”, i cili u ekzekutua në muajin maj në restorantin “27”, në lagjen Senjak të Beogradit. Sipas dyshimeve, drejtuesi i policisë ka manipuluar provat dhe ka ushtruar presion ndaj dëshmitarëve dhe personave të dyshuar, në mënyrë që versioni i ngjarjes të përputhej me një skenar të paracaktuar.

Neshoviçi dyshohej se kishte lidhje me grupin kriminal të drejtuar nga Dejan Stojanoviç, i njohur si “Keka”. Sipas hetimeve, mbrëmjen e 12 majit, ai shkoi në restorant me automjetin e tij të blinduar BMV X7, pasi ishte ftuar në një takim nga Veselin Miliçi. Ky i fundit dyshohet se i kishte kërkuar të paraqitej pa truprojat e tij.

Polici2
Polici2

Fillimisht, Neshoviçi nuk pranoi të hynte në lokal, pasi vuri re automjetet e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin me të. Megjithatë, pas një telefonate nga Sasha V., ai u kthye dhe u ul në tavolinë me të, Mario S. dhe Miliçin. Pas një përplasjeje verbale, Sasha V. dyshohet se nxori armën dhe qëlloi disa herë drejt tij.

Sipas prokurorisë, arma ishte siguruar nga Danka V., e cila ia kishte dorëzuar Mario S.-së, për t’i kaluar më pas autorit të dyshuar të vrasjes. Pas krimit, Dejan S. dyshohet se ndihmoi personat e përfshirë të largoheshin, duke i transportuar fillimisht drejt Shabacit, më pas pranë liqenit Dobrodol dhe në fund në Stara Pazova.

Polici3
Polici3

Zhdukja e Neshoviçit u denoncua nga bashkëjetuesja e tij, e cila kishte humbur kontaktet me të pasi ai e kishte njoftuar se ndodhej në restorant dhe telefoni i ishte fikur.

Më herët, Prokuroria e Lartë në Beograd kishte ngritur akuza për vrasje të rëndë, armëmbajtje dhe trafikim të paligjshëm armësh ndaj disa personave të dyshuar. Në hetim janë përfshirë edhe persona që dyshohet se kanë ndihmuar autorët pas krimit ose kanë fshehur informacionet për ngjarjen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb