Media franceze “Le Relève et La Peste”, në një artikull të gazetares Chloe Droulez, i ka kushtuar vëmendje protestave në Shqipëri, duke analizuar mënyrën se si një lëvizje e nisur për mbrojtjen e mjedisit është shndërruar në një reagim më të gjerë kundër qeverisë së Edi Ramës.

Artikulli, i titulluar përmes dëshmive të protestuesve që e cilësojnë Shqipërinë si një oligarki, përshkruan zgjerimin e lëvizjes së njohur si “Revolucioni i flamingove”, e cila fillimisht u organizua kundër një projekti turistik luksoz në ishullin e Sazanit dhe zonën e Vjosë-Nartës.

Sipas medias franceze, projekti me vlerë rreth 1.4 miliardë euro, i lidhur me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner, ka nxitur reagime për ndikimin e mundshëm në zonat e mbrojtura natyrore dhe për marrëdhëniet mes pushtetit politik dhe interesave private.

Artikulli thekson se lëvizja mori një dimension të ri në mesin e tetorit, kur në protesta iu bashkuan mijëra studentë dhe nxënës të shkollave të mesme.

Ata ngritën shqetësime për tarifat e studimit, kushtet në universitete, sistemin shëndetësor, koston e jetesës dhe mungesën e perspektivës për punësim.

Në shkrim përfshihet edhe dëshmia e një studenteje shqiptare, e cila akuzon kryeministrin Edi Rama për përqendrimin e pushtetit dhe krijimin e një sistemi oligarkik, ku përfitimet ekonomike përqendrohen te njerëzit pranë qeverisë.

“Edi Rama e ka shndërruar këtë vend në një diktaturë. Sot jetojmë në një oligarki, ku njerëzit e afërt me të janë bërë miliarderë, ndërsa populli nuk arrin dot as të mbyllë muajin.”, citon media franceze.

Një tjetër çështje e trajtuar nga media franceze është ajo e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe hetimeve të SPAK-ut.

Artikulli përmend akuzat që lidhen me kontrata publike me vlerë mbi 200 milionë euro, të cilat Balluku i kundërshton.

Sipas analizës, kjo çështje është kthyer në një nga temat kryesore të pakënaqësisë publike ndaj qeverisë dhe institucioneve shtetërore.

Media franceze ndalet edhe te përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, duke iu referuar dëshmive për përdorim të dhunës dhe ndalime të kundërshtuara nga organizatorët.

Artikulli përmend gjithashtu kallëzimin e paraqitur nga organizata të shoqërisë civile, avokatë dhe qytetarë pranë SPAK-ut, ku kërkohet hetimi i më shumë se 180 rasteve të pretenduara të veprimeve të paligjshme.

Nga ana tjetër, shkrimi thekson se kryeministri Edi Rama ka refuzuar kërkesat për dorëheqje dhe ka përsëritur ftesën për dialog drejtuar studentëve, të cilët deri tani nuk e kanë pranuar atë.

Në fokus është edhe paketa e re e masave të qeverisë për përgjegjësinë financiare të personave që shkaktojnë dëme gjatë protestave, të cilën artikulli e lidh me modelin francez “casseurs-payeurs”.

Në përfundim, “Le Relève et La Peste” e paraqet lëvizjen e flamingove si një mobilizim që ka kapërcyer kauzën fillestare mjedisore dhe është zgjeruar në një protestë me kërkesa politike, ekonomike dhe sociale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb