Banka franceze Crédit Mutuel Arkéa është goditur nga një sulm kibernetik, i cili ka mundësuar kryerjen e transaksioneve mashtruese, me humbje që sipas mediave franceze arrijnë në rreth 118 milionë euro. Institucioni financiar konfirmoi të martën se kishte zbuluar incidentin, duke bërë të ditur se situata tashmë është vënë nën kontroll. Banka siguroi gjithashtu se sulmi nuk do të ketë pasoja financiare për klientët e saj.

Sipas gazetës franceze Le Télégramme, dëmi financiar i shkaktuar nga sulmi vlerësohet në 133 milionë dollarë, ose rreth 118 milionë euro. Ngjarja u bë publike pas denoncimit nga ZachXBT, një studiues amerikan i sigurisë kibernetike, i njohur për hetimet mbi transaksionet me kriptomonedha dhe gjurmimin e aktiviteteve të dyshimta financiare. Dy ditë më parë, ai njoftoi se një subjekt i Bashkimit Evropian dyshohej se kishte humbur rreth 106 milionë dollarë. Të martën, studiuesi bëri të ditur se kishte identifikuar edhe tërheqje të tjera, me vlerë mbi 27 milionë dollarë, duke zbuluar më pas se institucioni i prekur ishte banka franceze Crédit Mutuel Arkéa.

Për momentin, banka deklaron se incidenti është nën kontroll dhe se klientët nuk do të përballen me humbje financiare. Ndërkohë, shuma e raportuar e dëmit e bën këtë një nga incidentet e rëndësishme kibernetike të raportuara së fundmi në sektorin bankar francez.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: