Koreja e Veriut ka ngritur një strukturë të mirëorganizuar për rekrutimin dhe trajnimin e hakerëve, të cilët më pas angazhohen në sulme kibernetike dhe vjedhje të mëdha financiare në mbarë botën. Sipas një raportimi të Reuters, regjimi i Kim Jong Un i shpërblen hakerët më të suksesshëm me apartamente në kryeqytetin Phenian, bonuse në valutë të huaj dhe privilegje të tjera.

Në mesin e operacioneve që u atribuohen grupeve koreano-veriore është edhe sulmi i fundit ndaj platformës së kriptomonedhave Binance, ku dyshohet se u vodhën rreth 6.3 miliardë dollarë. FBI dhe Binance kanë fajësuar Korenë e Veriut, ndërsa Pheniani i ka mohuar akuzat.

Sipas burimeve të cituara nga Reuters, programi i rekrutimit nis që në shkollën e mesme, ku çdo vit përzgjidhen rreth 150-200 nxënësit më të talentuar në shkencat kompjuterike. Kandidatët më të mirë vazhdojnë studimet në universitetet elitare dhe një pjesë e tyre përfundojnë në njësitë ushtarake të luftës kibernetike.

Hakerët trajnohen në fusha të avancuara teknologjike, përfshirë sistemet e kriptomonedhave dhe sigurinë kompjuterike. Ata që nuk përfshihen në operacionet kibernetike angazhohen në zhvillimin e programeve dhe aplikacioneve për kompani të huaja, duke punuar në distancë dhe duke gjeneruar të ardhura për regjimin.

Përveç shpërblimeve financiare, hakerët më të suksesshëm mund të përfitojnë apartamente deri në 132 metra katrorë në Phenian, udhëtime jashtë vendit, anëtarësim në partinë në pushtet dhe privilegje shoqërore.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës së Koresë së Jugut, deri në vitin 2024, rreth 8,400 persona ishin të angazhuar në operacionet kibernetike të vendit.

Megjithatë, pas këtyre privilegjeve fshihen kushte të vështira pune. Ish-punonjës të teknologjisë dhe organizata të të drejtave të njeriut raportojnë për orare që kalojnë 10 orë në ditë, mbikëqyrje të vazhdueshme, objektiva të rrepta financiare dhe presion të madh psikologjik.

Një tjetër element shqetësues është përdorimi gjithnjë e më i madh i inteligjencës artificiale. Sipas ekspertëve, punonjësit e lidhur me Korenë e Veriut përdorin mjete të IA-së për programim, krijimin e dokumenteve dhe manipulimin e identiteteve, ndërsa dyshohet se teknologjia është përdorur edhe në operacionet kundër kompanive ndërkombëtare.

Ekspertët paralajmërojnë se grupet koreano-veriore po kalojnë gjithnjë e më shumë drejt objektivave të mëdha financiare, duke synuar organizata me rezerva të konsiderueshme parash dhe asete dixhitale.

Suksesi i këtyre operacioneve po e kthen luftën kibernetike në një nga instrumentet kryesore të financimit dhe fuqisë së regjimit të Kim Jong Un.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: