Policia e Tiranës ka zbardhur dy grabitje me armë zjarri të kryera në filiale bankare në kryeqytet, duke arrestuar një 50-vjeçar të dyshuar si autor të tyre. Në kuadër të operacionit të koduar “Gjuetari i Bankave”, në pranga ka rënë Robert Duka, i njohur edhe me aliasin A. D., i dyshuar për dy vjedhje nën kërcënimin e armës, të ndodhura më 2 qershor dhe 2 nëntor 2026.
Lajmi u bë i ditur nga Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Turba, i cili deklaroi se identifikimi i 50-vjeçarit u bë pas një hetimi të thelluar, të zhvilluar me metoda speciale dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
Sipas Policisë, për identifikimin e tij kanë ndihmuar sistemet teknologjike, të cilat kanë mundësuar njohjen e personit pavarësisht maskimit, si dhe analizimi i veshjeve që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan ;
– 8 200 euro,
– Veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale
– 2 aparate celularë.
Gjatë deklaratës për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës bëri të ditur gjithashtu se 50-vjeçari dyshohet se ka kryer veprimtari kriminale edhe në një shtet fqinj, ndërsa nuk dha detaje të mëtejshme për këtë çështje.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të dy grabitjeve dhe verifikimin e çdo përfshirjeje të mundshme të të dyshuarit në ngjarje të tjera kriminale.
