Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Iranin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë identifikuar objektiva të reja infrastrukturore, që mund të shkatërrohen në rast të rifillimit të sulmeve ushtarake, por ka theksuar se preferon arritjen e një marrëveshjeje diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.

Në një intervistë për CNN, Trump deklaroi se ushtria amerikane, ka identifikuar 38 ura në territorin iranian, të cilat, sipas tij, mund të shkatërrohen brenda një ore.

“Ne kemi 38 ura në shënjestër, të cilat mund t’i rrëzojmë fjalë për fjalë, brenda një ore. Të gjitha do të shkatërroheshin”, deklaroi presidenti amerikan.

Ai përmendi gjithashtu centralet elektrike, si objektiva të mundshme në rast se rifillojnë operacionet ushtarake.

Megjithatë, Trump u shpreh se nuk dëshiron të shkojë drejt një përshkallëzimi të ri ushtarak, pasi shkatërrimi i infrastrukturës, do t’i shkaktonte dëme të mëdha Iranit dhe do ta bënte rindërtimin e vendit shumë të vështirë.

“Nuk dua ta bëj këtë, sepse në thelb do të duhen 10 vjet për t’i rindërtuar. Nuk më pëlqen të shkatërroj ura. Gjëja më e vështirë për t’u ndërtuar është një urë. Kërkon vite”, tha Trump.

I pyetur për mundësinë e rifillimit të luftës, presidenti amerikan u shpreh se një ndërhyrje e re ushtarake, është shumë pak e mundshme, nëse negociatat me Teheranin përparojnë dhe palët arrijnë një marrëveshje të fortë.

“Kjo varet nëse ata do të nënshkruajnë një marrëveshje shumë të fortë. Përgjigjja është se ka shumë pak gjasa që kjo të jetë e nevojshme”, deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: