Një incident pranë Shtëpisë së Bardhë ka shkaktuar alarm dhe masa të shtuara sigurie në Washington, pasi një automjet u përplas me një tabelë në Lafayette Park, përballë rezidencës presidenciale amerikane.
Pas incidentit, kompleksi i Shtëpisë së Bardhë u mbyll përkohësisht, ndërsa agjentët e Shërbimit Sekret urdhëruan gazetarët që ndodheshin brenda ndërtesës të ktheheshin në ambientet e brendshme dhe të qëndronin aty deri në një njoftim të dytë.
Në pamjet e publikuara në rrjetin social X, shihet momenti kur automjeti përplaset me tabelën në park dhe më pas nis të nxjerrë tym.
Car crashes into sign near White House, prompting lockdown https://t.co/6tZnzdYSjx
— NewsWire (@NewsWire_US) November 9, 2026
Në vendngjarje mbërritën menjëherë agjentë federalë dhe pjesëtarë të Gardës Kombëtare, të cilët ndërhynë për të neutralizuar situatën dhe për të ndaluar drejtuesin e automjetit.
Sipas pamjeve të publikuara, shoferi kundërshtoi agjentët dhe ushtarët që iu afruan makinës, duke i sulmuar gjatë ndërhyrjes. Ai u arrestua nga autoritetet.
Deri më tani, nuk ka një informacion të qartë nëse përplasja ishte e qëllimshme apo aksidentale. Gjithashtu, mbeten të paqarta rrethanat se si drejtuesi humbi kontrollin e automjetit.
Autoritetet amerikane pritet të zbardhin në vijim motivet dhe rrethanat e incidentit, ndërsa masat e sigurisë u shtuan në zonën përreth rezidencës presidenciale.
JUST IN: Secret Service has taken a person into custody after crashing into a sign near the White House.
He can be heard yelling: “Oh my God” https://t.co/q40vDaVbAI
— Scope Report (@ScopeReport_) November 9, 2026
