Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka marrë pjesë në hapjen e konferencës ndërkombëtare “Siguria rajonale: Rreziqe të reja, bashkëpunim më i fortë”, e zhvilluar në Tiranë, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe europian për përballimin e sfidave të sigurisë.

Gjatë fjalës së tij, Demo theksoi rëndësinë strategjike të Shqipërisë në sigurinë europiane, duke nënvizuar se vendi ynë nuk duhet të shihet si periferia e Europës, por si një nga portat e saj hyrëse.

Në konferencë, ku ishte i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanović, si dhe përfaqësues të institucioneve italiane dhe Delegacionit të Bashkimit Europian, ministri u ndal te kërcënimet që prekin sigurinë e rajonit.

Sipas tij, krimi i organizuar, trafiku i paligjshëm, kërcënimet kibernetike dhe sfidat që lidhen me zhvillimin e teknologjive të reja nuk njohin kufij. Për këtë arsye, përballimi i tyre kërkon institucione më të forta, shkëmbim më të shpejtë informacioni dhe veprime të koordinuara mes vendeve partnere.

“Shqipëria nuk është oborri i pasmë i Europës. Është një nga portat e saj hyrëse. Dhe kjo portë duhet të jetë e sigurt!”, shkruan Demo në reagimin e tij në rrjetet sociale.

Ministri theksoi se Shqipëria po forcon bashkëpunimin me partnerët rajonalë dhe europianë, me synimin për të garantuar më shumë siguri për qytetarët dhe për të rritur besimin te institucionet dhe e ardhmja.

“Siguria e Shqipërisë është e pandashme nga siguria e Europës”, përfundon reagimi i ministrit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb