Eurodeputeti bullgar Andrey Kovatchev, anëtar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), ka kërkuar që Parlamenti shqiptar të bëjë hetim mbi përdorimin joproporcional të dhunës ndaj protestuesve dhe të trajtojë gjobat që Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka vendosur nga televizioneve pse të ftuarit kanë bërë deklarata kundër Edi Ramës.
Në qëndrimin e tij të mbajtur në Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Parlamentit Europian, Kovatchev thekson se shqetësimet e protestuesve janë legjitime dhe se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore duhet të garantohet. Ai kërkon gjithashtu që opozitës t’i jepet mundësia të ngrejë në Kuvend çështjet që lidhen me dhunën dhe përdorimin e forcës.
“Shqipëria mund dhe duhet t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, por kjo kërkon rezultate konkrete, pavarësi të gjyqësorit, forcim të sundimit të ligjit, një luftë të mirëfilltë kundër korrupsionit dhe mbrojtje efektive të mjedisit.
Dera e Evropës është padyshim e hapur dhe, siç është thënë shumë herë tashmë, edhe protestuesit nuk janë kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ata kanë shqetësime legjitime dhe këto shqetësime duhet të dëgjohen. E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore duhet të garantohet.
U përmend gjithashtu nevoja për një dialog konstruktiv dhe unë do të dëshiroja vërtet të shihja gatishmëri nga të gjitha palët për një dialog të tillë.
I gjithë ky monitorim dhe mbikëqyrje e përdorimit joproporcional të forcës duhet të kryhet gjithashtu nga Parlamenti shqiptar.
Unë bëj thirrje gjithashtu që opozitës t’i jepet mundësia që, ashtu siç ka kërkuar, çështjet që lidhen me dhunën të trajtohen në Parlamentin shqiptar.
Kjo vlen edhe për çështjet që lidhen me lirinë e shprehjes, veprimtarinë e Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me dhunën.
Sigurisht, dhuna është e papranueshme edhe kur vjen nga protestuesit, të cilët kanë shkatërruar prona private dhe publike. Kjo është diçka që gjithashtu duhet të hetohet.
Projektet mjedisore, turistike apo infrastrukturore duhet t’i nënshtrohen një vlerësimi të pavarur të ndikimit në mjedis dhe konsultimeve të duhura publike, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Turizmi i qëndrueshëm nuk duhet të zhvillohet në kurriz të trashëgimisë natyrore.
Përafrimi i plotë me Kapitullin 27 të acquis-së së Bashkimit Evropian është thelbësor. Dhe legjislacioni i BE-së nuk duhet vetëm të miratohet, por edhe të zbatohet.’, deklaroi Andrey Kovatchev Eurodeputet bullgar, Grupi i Partisë Popullore Evropiane (EPP).
