Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka komentuar situatën në opozitë dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke deklaruar se Sali Berisha nuk ka arritur të mundë Edi Ramën në dy proceset e fundit zgjedhore.
I ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, Shehi tha se opozita duhet të analizojë realisht situatën politike dhe të kryejë një sondazh për të përcaktuar kandidaturën më të përshtatshme për Bashkinë e Tiranës.
Sipas tij, fragmentarizimi i opozitës kërkon një formulë të re elektorale, e cila të garantojë më shumë demokraci brenda partive dhe të mos përqendrojë vendimmarrjen në duart e një personi të vetëm.
Ai theksoi se zgjedhjet lokale duhet të shërbejnë edhe si mundësi për të fuqizuar figura lokale, të cilat mund të mbledhin më shumë mbështetje sesa vetë strukturat partiake.
Shehi ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionon përfaqësimi elektoral i partive, duke argumentuar se kandidatët duhet të kenë mbështetje reale në vota dhe jo vetëm në strukturat politike.
Gjatë intervistës, kreu i LZHK-së u ndal edhe te protestat e zhvilluara në bulevardin e Tiranës, të cilat i cilësoi si një moment të rëndësishëm për opozitën dhe shoqërinë shqiptare.
“Deri tani Berisha nuk e ka mundur Ramën, sepse u bënë dy zgjedhje…Ne zgjedhjet për Tiranën në këto kushte që jemi sot, duhet bërë një sondazh, dhe të shihet në këtë situatë ku është sot opozita shqiptare që është fragmentarizuar. Duhet të nisim një herë të ligji, të bëhet siç e kishim por këta e përqendruar në një dorë…Duhet një formulë elektorale që demokratizon jetën publike. Zgjedhjet lokale janë edhe një mundësi që personazhe lokalë të faktorizohen dhe të mbledhin atë që ndonjëherë nuk e mbledh partia…Partitë kanë mundësi që peshën e vet elektorale ta tregojnë tek lista zgjedhore, por nëse kandidati të bie edhe poshtë votave të partisë çfarë presim…Por unë uroj që nga këtu deri për zgjedhje lokale, që ky mini-revolucion që është sheshi bulevardi, ajo që prodhoi sheshi sidomos kur doli qyteti i Tiranës ishte një element që kishte vite që nuk ndodhte. U thye frika, u ndërkombëtarizua halli i shqiptarëve, aty ishte opozita por nuk e bënë dot atë punë dhe u rikthye politika sepse nëse diskutojmë për alternativë ky është edhe si pasojë e revolucionit të sheshit. Ndaj ky shesh brenda këtij koalicioni opozitar duhet të ketë vendin e vet”, tha ai.
