Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, në rrugën “Sadik Petrela”, ku një sasi lënde plasëse ishte vendosur në katin e parë, në derën e një banese.
Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, por detonimi ka shkaktuar panik te banorët e zonës, të cilët janë zgjuar nga zhurma e fortë.
Mësohet se pronarja e banesës është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Ajo ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush mund të jetë autori i ngjarjes dhe se nuk ka një dyshim konkret për personat që mund të kenë vendosur lëndën plasëse.
Sipas informacioneve paraprake, gruaja është e divorcuar prej disa vitesh dhe në banesë jetonte së bashku me djalin dhe vajzën e saj.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorit dhe zbulimin e motiveve që çuan në vendosjen e lëndës plasëse.
