Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste në Gjirin e Lalzit, është ndalur te procesi i integrimit evropian dhe roli i institucioneve të pavarura të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit.

Rama deklaroi se përparimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian lidhet edhe me krijimin dhe mbështetjen e organeve të pavarura të drejtësisë, të cilat sipas tij po godasin korrupsionin deri në nivelet më të larta të pushtetit politik, përfshirë edhe brenda Partisë Socialiste.

Kreu i qeverisë e cilësoi këtë si dëshmi të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, ndërsa hodhi poshtë pretendimet se qeveria po përpiqet të kufizojë zërat kritikë.

Ai solli gjithashtu një pretendim mbi përmbajtjen mediatike në vend, duke deklaruar se 60% e saj është kundër qeverisë, 30% neutrale dhe vetëm 10% në mbështetje të saj.

Pjesë nga fjala e Edi Ramës:

“Hyrja në atë faqe nuk bëhet duke u zhytur në korrupsion, por duke krijuar dhe duke mbështetur organe të pavarura drejtësie që luftojnë korrupsionin deri në nivelet më të larta të pushtetit politik. Prandaj unë e kam thënë dhe e them: ndryshe nga çfarë nxjerrin bulçitë e grykëve publike, shqiptarët janë mjaft të mençur ta kuptojnë se fakti që sot dhe prej kaq vitesh ka organe të pavarura drejtësie që godasin këtu brenda është rrjedhojë e së vërtetës së madhe se këtu është garancia e paprekshmërisë së pavarësisë së drejtësisë.

Prandaj ka hyrë Shqipëria në atë faqe. Dhe nuk bëhet hyrja në atë faqe duke u mbyllur gojën kritikëve të qeverisë, se edhe kjo është legjendë urbane. Ndërkohë që ky vend, jo sot, por prej vitesh, është një vend që prodhon në ditë 60% përmbajtje kundër qeverisë, 30% përmbajtje neutrale dhe 10% përmbajtje pro qeverisë”, u shpreh Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb